EXPRESS

Mes stuhive dhe gjallërisë së tanishme

83 vjet është i gjatë rrugëtimi i gjilanasve me artin skenik. Fillet kishin qenë me improvizime. Me gjithfarë kishin tentonin të bënin teatër, duke e fisnikëruar kulturën e qytetit.

“Vëllazëri dhe interes” ka qenë shfaqja e cila preu shiritin e premierave në Teatrin e Gjilanit në vitin 1944. E që nga ai moment e deri më sot, lidhja emocionale e aktorëve me këtë vend është e veçantë.

“Teatri është ai magneti që po i afrove grimcat e metalit i tërheq mirë. Edhe është shumë e vështirë t’i largosh ato copëza prej magnetit, është shumë e vështirë njësoj si forca për që të shtyhen të fillosh”, ka thënë Naser Zymberi, aktor.

Objekti ku sot ndodhet Teatri në qendër të Gjilanit, fillimisht ka qenë vend ku jepeshin filmat e organizoheshin ngjarjet kulturore. Mirëpo, rreth viteve të 50’ta, përfundimisht dërrasat e tij u shndërruan në shtëpi të aktorëve.

Por, për këta protagonistë të cilët jetësojnë role këtu, Teatri u bë “i huaj” në kohën e okupimit serb, duke mos i lejuar që shqiptarët të jepnin shfaqje, teksa drama serbe vazhdon.

Përpjekja për dashurinë e tyre ndaj artit vazhdon dhe fshati Letnicë bëhet adresa e shumë dramave e komedive për 10 vjet me radhë.

“Përgjegjësinë më të madhe e kanë pasur aktorët e moshuar në atë periudhe që i kanë organizuar aktivitetet. Më kujtohet një shfaqje që ishim në prova aty dhe erdhi Policia e na pyeste se ‘çka po bëhet këtu?’, edhe ajo ishte një dramë. Këta ia interpretuan ndryshe, që ishte komedi, nuk është politike dhe nuk u bë shumë e madhe ajo punë dhe vazhduam me punën”, është shprehur aktori Ali Demi.

Mirëpo, vështirësitë nuk u ndalën as pas përfundimit të luftës në vitin 1999.

“Në fillimet kur kemi ardhur këtu ne kemi gjetur armë, refugjatë prej Kroacisë e Bosnjës. Kemi pasur vështirësi. Kemi kërkuar nga ata të na lirojnë objektin por pas daljes së nesërmen në momentin që kemi hyrë ne kanë filluar gjuajtjet me automatik prej të gjitha anëve kundrejt neve. Dyert kanë qenë të hekurit, u dashtë të shtriheshim për tokë”, ka shtuar Zymberi.

Ndërkaq 21 vite pas, ky Teatër me 296 ulëse, frymon lirshëm dhe ka gjallëri artistike brenda mureve të tij.

“Që nga maji i 2018-të e deri ne qershor të këtij viti ne kemi arritur të krijojmë reportoar çdo muaj, përjashto muajin e pandemisë që teatrot nuk kanë mundur të funksionojnë. Përveç që i kemi bërë shfaqjet tona, i kemi ftuar edhe teatrot e qyteteve tjera për të ardhur”, tha drejtori i Teatrit, Erson Zymberi.

Përveç skenës normale, ky Teatër posedon edhe skenën e vogël, gjë që e bën edhe më të veçantë. Në një ambient të rrethuar me plot fotografi të shfaqjeve krijohet nostalgjia për kontributin artistik të gjeneratave një pas një.

“Unë rrjedh prej një familje të cilët kemi dhënë kontribut në kulturë, e sidomos në këtë Teatër qysh prej vitit 1969, ka ardhur Muharrem Shahiqi, aktori dhe regjisori i njohur, ka qenë iniciator për hapjen e teatrit gjysmë profesionist në atë kohë. Ka qenë edhe djali i axhës së babait, Sabedin Shahiqi, i cili ka qenë ndër të parët që e ka përfunduar aktrimin në Prishtinë dhe babai i cili ka kryer shkollimin në vitet 76 diku dhe kanë ardhur në këtë Teatër bashkë me aktorët e tjerë”, pohoi aktori Alban Shahiqi.

Bashkë me Alban Shahiqin, pjesë e trupës rezidente janë edhe aktorët Aurita Agushi, Artan Selimi, Ernest Zymberi, Kushtrim Qerimi, Gani Rrahmani, Tringa Hasani, Safete Mustafa, Mejreme Berisha, Naser Zymberi, Emine Toska e Avni Shkodra.

Më 1 qershor të vitit 2018, Teatri i Gjilanit ka formuar teatrin magjik të fëmijëve, i cili ka funksionuar si skenë alternative për ta. Që nga paslufta objekti i Teatrit është rinovuar dy herë, në vitin 2005 dhe 2010.

Teatri i Gjilanit për këtë vit ka planifikuar të jep 5 premiera, teksa momentalisht është në përgatitje të shfaqjes “Bad Ideas” me regjisor Shkëlzen Berisha.

Që nga themelimi i saj ky Teatër ka pasur 216 premiera, teksa numri i spektatorëve të cilët i kanë ndjekur shfaqjet janë 462.382.