Për 48 vjet çdo mëngjes është hapur dera e “Jadranit”, më pas “Adritikut”. Por tash, ëmbëltorja ikonike e Pejës është mbyllur.
Është pamje që nuk ka ndryshuar me dekada. Përtej imazhit e shijes së ëmbëlsirave, ëmbëltorja ishte shndërruar në njëfarë hapësire kult. Aty qytetarët bashkë me mysafirët e qendrës urbane në perëndim të Kosovës kanë hyrë edhe për turizëm. Koha ishte “ndalur” në këtë ambient. Pamja e jashtme bashkë me atë enterierin janë të njëjta së paku në katër dekadat e fundit. Por krejt ambienti mund të ndryshojë shpejt, pasi ëmbëltorja më nuk funksionon dhe pritet që aty të zhvillohet ndonjë biznes i ri nga ndonjë qiramarrës i ri.
Mjeshtri i ëmbëlsirave e pronari i biznesit, Asim Tosuni, ka vendosur që ta mbyllë dyqanin. Tashmë lokali në fund të ish-Korzosë, tash Bulevardi i Qytetit, pret qiraxhinj të rinj. Shpejt pritet të largohet mbishkrimi ëmbëltore “Adriatik”.
Asim Tosuni pjesën më të madhe të jetës e ka kaluar në Pejë. Ka qenë viti 1975 kur u hap ëmbëltorja. Zanatin do ta trashëgonte nga babai. Ka thënë se s’ka punëtorë dhe se të rinjtë po ikin jashtë vendit. Njëjtë do të veprojë edhe njëri prej djemve të tij që punonte aty.
Pronaret e bizneseve fqinje dhe qytetarët e Pejës, mbylljen ëmbëltores e kanë parë si humbje për trashëgiminë e qytetit. Me të lidhin jo pak kujtime.
Dek: Skifter Shkuliqi
Si një prej hapësirave të veçanta të fëmijërisë së tij e ka përshkruar ëmbëltoren dramaturgu e profesori universitar, Besim Rexhaj.
“Jadrani”, e pas luftës “Adriatiku” njihej për bozën unike. Në një bisedë për “Kohën” zanatliu Tosuni ka thënë se receta do të mbetet sekret, ani pse ka pasur jo pak oferta që ta shesë atë.
Ëmbëltoret si hapësira të vjetra publike shquhen edhe si biznese që kanë nxitur emancipim në kohë kur teatrot, kinematë e ngjarjet kulturore nuk ishin të pranishme në këto anë. Për “Adriatikun” tash lidhen vetëm kujtimet. Dhe imazhet e dikurshme.