EXPRESS

Lumja bëhet me ekranin Braille

Gazetaren Lume Berisha e shoqëron nëna çdo ditë deri te dhoma e radios ku ajo komunikon me publikun.

Berisha e kishte humbur shikimin kur ishte vetëm tre vjeç e gjysmë. Rrugëtimi i saj tutje deri kur arriti të bëhet gazetare ishte me plot sfida. Pas një iniciative për të mbledhur paratë që t’i sigurohej ekrani Braille tashmë puna e Lumes po shkon duke u lehtësuar. Ajo ka nisur të ambientohet me pajisjen.

“Unë gjatë marsit kam qenë mysafire në emisionin ‘Express’ dhe e kemi bërë të ditur se na duhet një pajisje që quhet ‘Display Braille’ dhe e zëvendëson ekranin e monitorit dhe tani e përshtatshme edhe në telefon. ‘Display Braille’ është tejet e nevojshme për çdo person të verbër, dhe për mua është siguruar në kohë rekord, gjithmonë duke iu falënderuar donatorëve që janë të shumtë në numër”, ka thënë Berisha.

Berisha tregon se sfidat më të mëdha i kishte pasur gjatë studimeve, kur nëna e saj ia kishte lexuar çdo faqe të librit për të përgatitur provimet.

“Tastiera është një pajisje tejet e nevojshme për çdo person, qoftë edhe nëse është me shikim të dëmtuar. Unë të zinjtë e ullirit e kam vuajtur gjatë studimeve sepse është dashtë të konsultoj shumë literaturë dhe në shumicën e rasteve më ka asistuar nëna. Tani është shumë më mirë dhe më lehtë dhe më vjen keq që nga personat privat shumë pak e kanë një pajisje të tillë”, ka thënë Berisha.

Bekim Krasniqi thotë që kjo pajisje shumë pak përdoret, pavarësisht se institucionet sipas ligjit janë të obliguara që personave të verbër t’ua sigurojnë pajisjet e nevojshme.

Krasniqi, i cili po e trajton Lumen, shprehet se mungesa e sintezës vokale në gjuhën shqipe shpesh bën që teksti të deformohet gjatë deshifrimit.

Lume Berisha është autore e emisionin “Për një botë më të mirë”. Në emisionin e saj, ajo çdo javë trajton problemet e personave me aftësi të kufizuara.