“E bukura e dheut”, “Dallëndyshja e vogël” e “Shitësja flokartë”, janë vetëm disa nga shumë historitë që rrëfejnë për kohë të bukura. Por në këta libra la shenja edhe lufta e fundit në Kosovë.
Tejpërtej tyre dikur kaloi një plumb, vrima e të cilit sot ka lënë mangët disa shkronja, si peng të një historie që iu shkatërrua fundi i lumtur.
Shala, nga lufta e Kosovës, pos në njerëz pësoi edhe në objekte kulturore e arsimore. Një histori të veçantë e ka edhe biblioteka e fshatit.
Historia e shpëtimit të librave lidhet ngushtë me bibliotekistin Mustafë Shamolli, të cilën e rrëfen i biri i tij.
“Biblioteka e Shalës e ka një historik të vlefshëm për banorët e këtij terreni. Fillimisht biblioteka ka qenë në shkollën e mesme, në objektin që është kallë shkolla. Ka qenë një pjesë mbrapa e bibliotekës që ka funksionuar edhe në kohët më të vështira. Edhe pse biblioteka është shpallur e mbyllur, prapë ka vazhduar të funksionojë. Pas një kohe i kemi disa libra që nuk kemi mundur t’i tërheqim nga aty. Babai im bashkë me nënën time i kanë tërhequr librat nga aty. E kanë hap një gropë të madhe me rërë dhe i kanë vendos mbi 2000 libra. Pas luftës i kanë nxjerrë dhe sot janë të gjitha ato. Një pjesë e mbetur e këtyre librave janë me vrima që janë bërë me plumba, me thikë, e që në këtë mënyrë janë paralajmëruar që kanë m’i kall’. Por babai im ka arrit me i mbrojt librat dhe sot e asaj dite ato ende ekzistojnë. “
Ai tash e ushtron profesionin e të atit. Ka thënë se motivi për fshehjen e librave nisi nga fatkeqësia e tyre në vende të tjera.
Edhe
“Vajzëri në luftë” prej “bërllokut shqiptar” tek e bija e kriminelit serb
“Shumë vjet para luftës. Ndoshta pesë ose gjashtë vjet para luftës biblioteka është shpallur e mbyllur, po babai im ka vazhduar të punojë. Që atëherë ka qenë një atentat, kur një kamion ka ardhur t’i zhdukë këto libra. Babai thoshte gjithmonë “sikur librat më thoshin shpëtona se jemi në zhdukje”. Babai im u ka thënë atyre që do ta thërrasë fshatin dhe do t’ju largojmë nga këtu me sëpata. Nga ai inat, prej këtu kanë shkuar në fshatin Magure dhe i kanë zhduk 15000 libra. Prej atëherë babai im e ka ditë që këto libra janë në rrezik edhe i ka largu prej aty. Tash objekti dhe shkolla janë djegur, por librat ekzistojnë ende”.
Shumë të tilla që u mësonin alfabetin, qenë asokohe pikësynimi i serbëve për shkatërrim. Madje, shumë nga nxënësit mësimin në to e lanë në gjysmë, e karta ndarëse mes faqeve mban ende emrat dhe vitet e nxënësve të asaj kohe.
Ruajtja e librave, është një pikë krenarie jo vetëm për Trimorin, por edhe për bashkëvendësit e tij.
“Është një emocion i madh që t’i ruaj këto libra me vlera të mëdha. Është një ndjenjë shumë e mirë. Do të mundohem ta bëj maksimumin që t’i ruaj ato. Edhe pse kam qenë i vogël, rreth 12 vjet i kisha gjatë luftës, biseda mes nënës dhe babës më kanë bërë përshtypje se si ruhet një libër. Që atëherë e kam në zemër librin”.
Edhe
Shala për ndërtimin e muzeut të luftës: S’kemi mbështetje nga institucionet
E themeluar në vitin 1972, biblioteka me rreth 6000 tituj, ka 300 të tillë “të mbijetuar nga lufta”. Në mesin e tyre ruan edhe kartat që datojnë dhjetëra vjet më herët.
E gjithë kjo dashuri ndaj librave është trashëguar brez pas brezi. Bibliotekisti i Shalës ka një porosi.
“T’i ruajmë sa më shumë librat, t’i duam sa më shumë dhe t’i lexojmë sa më shumë”, thotë Shamolli.