Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
EXPRESS

Lapsi i deklaratës së Pavarësisë

Për shumëkënd që merret me trashëgiminë kulturore, Kosova ka fatin që ta ketë eksponatin më të rëndësishëm: Deklaratën e Shpalljes së Pavarësisë. Por nuk e ka atë me krejt elementet përcjellëse. Mungon kaligrafi apo lapsi me të cilin dokumentin e shtetësisë e kanë nënshkruar udhëheqësit kryesorë institucionalë dhe deputetët e Kuvendit të Kosovës.

Ata që në ditën historike ishin marrë ekskluzivisht me Deklaratën dhe lapsin, nuk e dinë se ku gjendet ai. Kurse institucionet qendrore janë të ndara rreth kësaj çështjeje. I bashkon mungesa e informacionit.

Deklarata e Pavarësisë gjendet në Kuvendin e Kosovës. Saktësisht në njërin nga muret e kabinetit të kryetarit të këtij institucioni. Një kopje e saj është në Muzeun Kombëtar të Kosovës. Kuvendi për më shumë se një muaj nuk ka kthyer përgjigje sa i përket vendndodhjes së lapsit me të cilin u nënshkrua Deklarata e Pavarësisë më 17 shkurt 2008. Jozyrtarisht KOHA ka marrë vesh se lapsi nuk mund të gjendet në Kuvend. Përgjigje nuk ka dhënë as Presidenca. Qeveria ka konfirmuar se ky eksponat nuk ndodhet në kryeministri.

Hajredin Kuçi në shkurtin e 2008-s ka qenë zëvendëskryeminister i Kosovës. Në përgjigje me shkrim për vendodhjen e lapsit, ka thënë se së bashku me Deklaratën është deponuar në zyrën e kryetarit të Kuvendit.

Historiani Arbër Hadri në kohën e Shpalljes së Pavarësisë ka qenë drejtor i Muzeut të Kosovës. Kishte porositur pergamenën në Britani të Madhe. Sipas tij, lapsi i nënshkrimit të Deklaratës është eksponat më vete dhe është dashur të ruhej në Muze bashkë eksponatet e tjera.

Grafisti Shyqri Nimani e ka bukurshkruar tekstin e Deklaratës. Ai ka thënë se ka përdorur tre kaligrafë për punën e tij, kurse të katërtin ua ka dhënë zyrtarëve për të nënshkruar dokumentin më të rëndësishëm të shtetësisë që prej vitit 2017 është monument.

Edhe Mbrojtja e përhershme e Deklaratës së Pavarësisë, kërkesë edhe në 18-vjetor Kulturë 5 muaj më parë Mbrojtja e përhershme e Deklaratës së Pavarësisë, kërkesë edhe në 18-vjetor

Hana Bajrami asokohe ishte asistente e zëvendëskryeministrit, Hajredin Kuçi. Kishte asistuar zyrtarët shtetërorë gjatë nënshkrimit të Deklaratës në të dielën e 17 shkurtit.

Muzeu Kombëtar i Kosovës disa herë kishte kërkuar që Deklarata e Pavarësisë së bashku me eksponatet e tjera përcjellëse të zhvendoseshin në këtë institucion. Por këto kërkesa kanë mbetur veç synim.