Rrahman Bislimi për dy dekada ka qenë prapa çdo ekspozite që ka zënë vend në Galerinë Kombëtare të Kosovës. Zanatin e tij të teknikut të ekspozitave e nisi katër dekada më parë, kur u punësua në vitin 1981 në Galerinë e Arteve të Kosovës.
Që nga java e kaluar, kur është pensionuar, në sirtarin e kujtimeve ruan dyzet vjet punë mes veprave të ndryshme artistike. Veç kësaj, edhe një dashuri të madhe për profesionin që e ushtroi ndër vite.
“Kam pasur vështirësi në fillim, sepse për mua ka qenë një ambient i panjohur pasi që kam punuar në një organizatë tjetër. Rastësisht kuptova se po kërkohej një teknik i ekspozitave, ‘aplikova’ dhe u pranova. Ngadalë fillova të ambientohem me punën dhe u njoftova me shumë artistë e artdashës. Në atë kohë galeria ishte në Pallatin e Rinisë”, ka thënë Bislimi.
Bislimi deri tani është bërë pjesë e mbi 1 mijë ekspozitave. Në kohën e regjimit serb u pushua nga puna, por rolin e teknikut të ekspozitave e luajti nëpër hapësirat private ku mbahej gjallë jeta kulturore atëkohë.
“Për 40 vjet punë në Galerinë Kombëtare dhe në galeritë e tjera me të cilat kemi bashkëpunuar kam marrë pjesë në vendosjen dhe aranzhimin e afro 1300 ekspozitave”, ka theksuar ai.
Bislimi me kujdesin më të madh bën aranzhimin e ekspozitave, duke treguar kujdes të posaçëm ndaj veprave artistike.
“Puna e teknikut është shumë punë specifike dhe e përgjegjshme ku kërkohet kujdes maksimal dhe duhet pasur shumë përkushtim, sepse këtu vijnë artistë të cilët ta dorëzojnë krijimtarinë 20-30-vjeçare. Prej atij momenti që vjen ekspozita në galeri, ajo është punë e teknikut në bashkëpunim me kuratorin dhe koordinatorin”, ka treguar tekniku i ekspozitave.
Ai e kujton se në dorë i ra edhe vepra e piktorit të njohur Pablo Piccasso, të cilën e trajtoi me kujdes të shtuar.
“Në mendje më ka mbetur viti 1986 e që lidhet me ekspozitën e Muzeut të Artit Bashkëkohor të Maqedonisë së Veriut që e hapen në Kosovë. Aty ka qenë edhe vepra e Pablo Picassos, atë pikturë e kam marrë unë në përkujdesje dhe më është dashur t’ia bëj vendin e posaçëm pasi që ka qenë pikturë me vlerë milionëshe”, ka thënë ai.
Rrahman Bislimi për dyzet vjet punë ka krijuar edhe shumë miqësi me artistë të njohur. Ai thotë se edhe pse në pension, nuk do të ndalet së bashkëpunuar me miqtë që ia fali profesioni i tij në galeri.
Në ditën e fundit të punës, atë e priti një befasi. Ushtruesi i detyrës së drejtorit të Galerisë ia kishte punuar një portret, i cili do t’ia kujtojë vitet e kaluara mes punës së shumë artistëve.