Prekazi i djegur i 1998-s, imazhet barten në kryeqytetin e shtetit të lirë, 26 vjet pas. Në mbrëmjen kur është mbyllur manifestimi i Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, fragmente historie janë ilustruar në 18 fotografi të fotografëve Hazir Reka, Alban Bujari dhe Visar Kryeziu.
Fotografitë vijnë si artefakte me të cilat dokumentojnë një prej ngjarjeve më të rëndësishme të historisë së Kosovës. Treshja e fotoreporterëve ka nxjerrë 18 fotografi që sjellin kronologjikisht rrëfimin nga Prekazi.
Nga varrimi e shkatërrimi, rrëfimi zhvendoset çerekshekulli pas në manifestimin e ndezjes së zjarreve, që shënohet çdo 7 mars në varrezat e dëshmorëve në Prekaz. Aty është Kosova e lirë dhe e pavarur.
Homazh është bërë edhe në ngjarjen ku është hapur ekspozita. Janë ndezur flakadanë të vendosur pranë secilës fotografi.
Fotoreporteri i “Kohës Ditore”, Alban Bujari, ka thënë se në sirtar ka fotografi shumë të ndjeshme, por se kanë zgjedhur ato të cilat publiku pa dallim mund t’i shohë.
“Këto imazhe janë me rëndësi për ta dokumentuar luftën, por ne nuk kemi dashur të sjellim fotografi të tjera që janë shumë më të rënda, të kufomave të djegura, jo veç nga kjo masakër e Prekazit, por ka edhe prej atyre pa kokë e pa zemër. Është mirë t’i tregohet rinisë se çfarë ka ndodhur në këtë datë, të përkujtohet në 26-vjetorin e luftës në Prekaz”.
Fotoreporteri Hazir Reka, që punoi në disa media vendore e më pas edhe në agjencinë “Reuters”, ka thënë se nuk është e lehtë të shpjegohet përjetimi nga vizita në Prekaz në fillim marsin e 1998-s. Pamjet ishin të rënda, e ato i përcjellin edhe sot.
“Ne të tretë që kemi fëmijë të lindur pas kësaj ngjarjeje, është shumë e vështirë t’u tregojmë sesi ka qenë dhe sesi ka ndodhur. Ata një kohë do ta kuptojnë, por është mirë që ta shohin të gjithë dhe të kuptojnë se çfarë ka ndodhur. Vështirësitë që i kemi pasur për të shkuar e për t’u kthyer, nuk mund t’i tregoj me fjalë sepse është shumë e vështirë. Secili nga ne kemi pasur problemet tona kur jemi kthyer nga kjo ngjarje”.
Fotoreporteri i “Associated Press”, Visar Kryeziu, ka thënë se Pavarësia e Kosovës ka filluar me sakrificën e madhe të familjes Jashari. Një prej qëllimeve të ekspozitës, sipas tij, ka qenë njohja e gjeneratës së re me një pjesë të historisë së vendit.
“Ato kujtime nuk është që na zhduken ndonjëherë pasi ka qenë një sakrificë shumë e madhe e familjes Jashari. Kthesë e madhe. Aty ka qenë edhe fillimi i Pavarësisë së Kosovës. Ne me këtë ekspozitë vetëm kemi dashur t’i përkujtojmë gjeneratat e reja që nuk duhet të harrohet historia. Është thënia se ‘nëse harrohet historia, ajo përsëritet’. Gjithashtu edhe për ta bërë një ngjarje tradicionale vjetore që të mund të shënohet këto ditë me një aktivitet, ose një ekspozitë që do të ishte tradicionale për çdo vit”.
Por krahas peshës së fotografive si artefakte, organizimi i ngjarjes nga Komuna e Prishtinës nuk ka qenë dinjitoz.
Pa titull, pa kurator e në ambient të hapur ku secilës mbajtëse të fotografisë i është lidhur një gur për ta peshuar, ekspozita qëndroi për pak kohë e hapur.
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, kur është hapur ekspozita, ka thënë se gjurmët e zjarrit të flakës së Prekazit janë zgjatur e shtrirë në krejt vendin.
“Adem Jashari nuk pranoi të nënshtrohet duke zgjedhur që të ndezë një fjalë që neve do të na ndriçonte përgjithmonë rrugën drejt lirisë. Guximi i tij ndriti si fanar në tokat e errëta e frymëzoi brezat e rinj”.
I pranishëm në hapjen e ekspozitës ka qenë edhe gazetari britanik Vasughan Smith, i cili kishte filmuar pjesë të sulmit ndaj familjes Jashari. Mediat ndërkombëtare me xhirimet e tij kishin raportuar për luftën në Kosovë. Vetë Smith ishte shënjestruar nga forcat serbe.
“Vij çdo vit në këtë ngjarje. Ishte një imazh në kokën time të vuajtjeve të fëmijëve në luftë. Ndërsa në Prekaz dje kam parë shumë fëmijë. Pa dashur dëgjova bisedën e tyre për fluturat. Ata tani kanë një të ardhme këtu”.
S’ka dëshmi më të fuqishme sesa imazhet, e historia e luftës në Kosovë nuk shkruhet dot pa fotografitë e Hazir Rekës, Alban Bujarit e Visar Kryeziut. Ata nuk i ndalën dot as flakët e luftës, armë e tyre qe fotoaparati, me misionin e tyre ia shfaqën botës tmerrin ndaj shqiptarëve. Prekazi është vetëm një kapitull i veprimtarisë së tyre.