Aktori i njohur hollivudian, Jean-Claude Van Damme, ka ardhur për një vizitë në Kosovë. Disa ditë më parë ardhja e ikonës së filmave aksion në vend është bërë e ditur nëpërmjet fotografive të postuara nga personalitete të ndryshme, që shfaqeshin duke pozuar bashkë me të. E të mërkurën mbrëma në qendrën tregtare “Prishtina Mall” u mblodhën shumë qytetarë për ta takuar aktorin, pasi që ai është ftuar të jetë ambasador i një marke të njohur të orëve.
Karateisti i njohur, Enver Idrizi edhe pse e ka vlerësuar si të rëndësishme vizitën e Van Dammet në Kosovë, ka përmendur personalitete të suksesshme me prejardhje shqiptare që e meritojnë të jenë fytyra të promovimeve të tilla.
“Ndoshta kam qenë ndër njerëzit e parë që e kam takuar Van Dammen, kohë më parë kur e kemi realizuar një program me të. Atëkohë njerëzit mendonin se fotografitë ishin fotomontazhe, po mbrëmë e pamë që ai ka ardhur në Kosovë. Kjo është një gjë shumë e mirë për Kosovën, fakti se Van Damme ka ardhur këtu është një promovim shumë i madh për shtetin tonë. Krejt populli shqiptar e do Van Dammen edhe pse jemi mësuar t’i duam të huajt, mirëpo duke filluar nga Dua Lipa e deri te Majlinda Kelmendi, ne i kemi shumë njerëz të suksesshëm dhe për këtë duhet t’i duam njerëzit tanë dhe me ta t’i reklamojmë gjërat sepse e meritojnë”.
Në mesin e shumë të pranishmëve ishte edhe këngëtari Capital T. Ka thënë se e ka parë një pjesë të madhe të filmave të tij dhe e ka veçuar një prej tyre.
“Aktor fantastik i nivelit botëror. Krejt jemi rritur me filma të tij. Nuk ka çka të thuhet më shumë për të. Shumë mirë. I kam parë shumicën e filmave për të mos thënë të gjithë. Meqenëse më pëlqejnë edhe artet luftarake edhe ky shquhet si aktor i arteve marciale, filmin “Kick boxer” e ka pasur legjendar dhe atë e kisha veçuar meqenëse sa herë e shoh më pëlqen”.
Qytetarja Melita Sefa kishte ardhur me shpresën që do të mund të shkrepte ndonjë fotografi me aktorin e njohur. Ka thënë se i duket e çuditshme vizita e Van Damme në Kosovë.
“Është shumë interesante që ka zgjedhë të vijë në Kosovë edhe po më vjen shumë mirë. Tash ka qenë në Turqi dhe siç duket paska bërë një turne nëpër Evropë”.
Van Damme është ndër aktorët më të pëlqyer në Kosovë, ku një pjesë e madhe e njerëzve janë rritur me filmat e tij. Përderisa për botën ai është edhe një tjetër yll, për shumë prej qytetarëve të Kosovës ka pasur një ndikim më domethënës në jetën e tyre. Van Damme ka lindur në Bruksel nga prindërit Eliana dhe Eugène Van Varenberg. Ai filloi të ushtrojë arte marciale në moshën 11-vjeçare. Në moshën 12-vjeçare, Van Damme filloi stërvitjet profesionale të arteve marciale në Qendrën Kombëtare të Karatesë në Belgjikë. Atje ushtroi për 4 vjet dhe e fitoi një vend në ekipin e karatesë. E fitoi kampionatin evropian të karatesë në peshën e mesme si adoleshent, dhe gjithashtu mundi karateistin e dytë më të mirë në botë. Qëllimi i tij ishte të bëhej numër një në këtë sport, por u anashkalua kur u largua nga qyteti i tij i lindjes dhe u shpërngul në Florida të Amerikës. Aftësitë e tij në arte marciale e çuan në role kryesore, në filma me buxhet më të lartë, si “Cyborg”, “Lionheart” e “Universal Soldier”. Në vitin 1994 ai shënoi suksesin e tij të madh me filmin hit, që i arkëtoi mbi 100 milionë dollarë anembanë botës, “Timecop”.