Koncerti i Operës së Kosovës të dielën ka qenë pasqyra e formimit të institucionit pa shtëpi. Pos që u vu në skenën e një salle private, programi qe kontrasti i operës “La Traviata” me të cilën institucioni debutoi.
Arie operistike nga kryeveprat botërore të kompozitorëve Bizet, Puccini, Verdi, Mozzart, Bellini dhe jo vetëm, kanë qenë interpretime magjike e dëshmi se solistët kanë kapacitet. Por mungojnë kushtet. Madje edhe ato për prova.
Opera “Goca e Kaçanikut” e Rauf Dhomit e paraparë të kishte premierën muajin e kaluar u shty për në shkurt për shkak të rinovimeve në sallën e sporteve “1 Tetori”.
Zëvendësuesi i drejtorit të Operës së Kosovës, Meriton Ferizi, ka thënë se do të vazhdojnë me aktivitete të tilla derisa të bëhet njw zgjidhje me hapësirën për interpretim.
“Goca e Kacanikut është shtyrë për në muajin shkurt, që do të jetë aktivitet qendror i Pavarësisë së Kosovës. Salla nuk kemi ende dhe për një kohë të gjatë ndoshta nuk do të kemi derisa të fillojnë dhe kryhen edhe procedurat. Ne do të vazhdojmë kështu me salla kudo që ka në qytete të ndryshme. Nuk do të ngelemi as ne artistët, as publiku pa aktivitete”.
Koncerti me program e interpretues të njëjtë wshtw mbajtur edhe në Gjakovë, në shtëpinë e kulturës “Asim Vokshi”. Dy gala koncertet ishin debutim për instrumentistët, koristët dhe disa prej solistëve që ishin zgjedhur për operën “Goca e Kaçanikut”
Ndonëse formacioni i institucionit shtetëror të operës u zgjerua përkohshëm, programi u bë përsëritje e saj që ngjante para funksionalizimit të tij.
Në sallën “AMC” në periferi të Prishtinës interpretimi i solistëve, Orkestrës dhe Korit të Operës ka qenë madhështor në çdo pjesë.
Gesu Zefi ka interpretuar arien “Quando me n’vo” nga opera “La Boheme” të Puccinit. Delikat është dukur interpretimi i saj në pjesën për të cilën ka thënë se kërkon edhe paraqitje artistike.
“Unë them se programi ka qenë zgjedhje me katër duar pasi ka qenë propozim i imi dhe kërkim nga organizatorët që të ndërtojnë një program të posaçëm për ngjarjen e sontme. Unë jam soprano dramatike, aria që e kam interpretuar është lozonjare por deri diku edhe e trishtë mund të them. Një arie që flet për dashuri dhe kërkon edhe pjesëmarrje fizike në skenë deri diku sepse është një formë feste në historinë e operës”.
Pjesë nga Puccini kan[ interpretuar edhe sopranoja Dioklea Hoxha e tenori Josif Gjipali. Mexosopranoja Flaka Goranci u ka dhënë zë arieve të francezit Camille Saint-Saens e gjermanit Offenbach. Baritoni ukrainas Vitality Bilyy ka sjellë mozaikun operistik bashkë me një ngjyrë aktrimi në skenë.
Sopranot Lorika Ismajli, Ardita Meni e polakja Marcelina Roman kanë thurur zërat për pjesë sa të ndjeshme, aq të fuqishme. Koncerti është dirigjuar nga Edon Ramadani.
Sopranoja Roman me arien “Sempre Libera” nga “La Traviata” të Verdit është paraqitur për herë të parë me Operën e Kosovës. Derisa është shprehur e nderuar dhe ka vlerësuar edhe programin.
“Është proces për të organizuar dhe bërë bashkë të gjitha pjesët. Kemi qenë ekip i madh për çfarë është dashur të ketë konsideratë për të gjitha opsionet. Për të gjithë ne ka qenë tejet emocionuese dhe mendoj se programi ka qenë i zgjedhur mirë dhe shumë interesant për publikun”.
Zërat e Operës së Kosovës janë bërë krejt bashkë në fund për ta përmbyllur magjishëm koncertin me një prej arieve të famshme nga “La Traviata”.