Me program të pasur e aktivitete të shumta të martën mbrëma zyrtarisht është shënuar hapja e “Javës së Frankofonisë”, njëra prej ngjarjeve kulturore më me traditë në Kosovën e pasluftës. Sivjet shënon edicionin e 23-të dhe Peja për shtatë ditë është kryeqyteti kosovar i frankofonisë.
Në ceremoninë e hapjes në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës në Prishtinë, në mesin e shumë të pranishmëve ishin edhe përfaqësues diplomatikë nga Belgjika, Kanadaja, Franca, Luksemburgu dhe Zvicra.
Ambasadori i Francës në Kosovë, Olivier Guérot, në fjalimin e tij ka përmendur disa prej pikave më të rëndësishme të frankofonisë, të cilat janë pjesë e programit të këtyre shtatë ditëve, duke filluar nga vetë gjuha frënge, muzika, filmi e gastronomia.
“Frankofonia ka të bëjë me diversitetin dhe mënyrat e shumëllojshme të të mësuarit të gjuhës frënge. Frëngjishtja është e larmishme, sepse është një gjuhë globale në 32 vende që e flasin këtë gjuhë. Përtej diversitetit kulturor, ka edhe në stilin e jetës dhe të tjera. Frankofonia është një lloj atmosfere më vete dhe pikërisht kjo fjalë është përzgjedhur të përdoret edhe për ngjarjen tonë. Këtë program të larmishëm do ta paraqesim me disa aktivitete të krijuara bashkërisht nga pesë ambasada të vendeve frëngjishtfolëse si Belgjika, Kanadaja, Franca, Luksemburgu dhe Zvicra. Vitin e kaluar kemi qenë në Prizren, këtë vit do të jemi në Pejë dhe shpresoj që vitin e ardhshëm do të mund të prezantojmë në Mitrovicë në të dy brigjet e Ibrit. Kjo është një dëshirë, nuk është ende premtim”.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka ndarë me të pranishmit një pendim të tij personal: atë që nuk e ka gjetur mundësinë që ta mësojë gjuhën frënge e t’i lexojë mendimtarët e tij të preferuar në gjuhën në të cilën ata kanë folur e shkruar.
“Individë të jashtëzakonshëm kanë shkruar në frëngjisht zbulimet e tyre të njerëzimit. Sipas meje, kjo përbën rëndësinë e frankofonisë dhe fatin e mirë që Kosova e ka të marrë pjesë në të. Më duhet ta përmend një pendim personal, do të doja ta kisha pasur kohën dhe mundësinë ta mësoja gjuhën frënge. Në atë mënyrë do të mund të lexoja duke filluar nga antropologët e deri te sociologët dhe filozofët të cilët i kam afër zemrës si Deluze dhe Foucault, në gjuhën e tyre pa e humbur asnjë aspekt të stilit të tyre. Mendimtarët francezë besojnë që pjesë të krijimeve të tyre mbështeten në mënyrën e tyre të shkrimit në gjuhën frënge. Lidhja midis dy shteteve tona dhe njerëzve tanë është një shtysë e madhe në fushat e artit dhe kulturës. Urime dhe faleminderit”.
Mbi 20 ngjarje zënë vend në Pejë e Prishtinë si pjesë e programit të ”Javës së Frankofonisë”. Filma të shumtë do të shfaqen në hapësira të mbyllura dhe jashtë nëpërmjet një ekrani që do të vendoset në qendrën e Pejës. Punëtori e aftësim profesional në fushën e gastronomisë dhe eksplorim i industrisë së birrës në Francë e Kosovë, janë disa prej pikave të “Javës së
Frankofonisë”.
Valon Ibraj, atashe i kulturës në Ambasadën e Francës në Kosovë, ka thënë se prej 22 marsit Peja pret të gjithë ata që duan të jenë pjesë e këtyre shtatë ditëve.
“Kjo ishte ceremonia e 23-të e edicionit të “Javës së Frankofonisë” në Kosovë. E kemi një program shumë të larmishëm. Këtë vit Peja është kryeqyteti i frankofonisë. Nga nesër frankofonia do të zhvendoset në qytetin e bukur të Pejës. Na pret një program shumë i larmishëm, na presin atmosfera të konferencave, të debateve, të punëtorive, të filmave dhe koncerteve. Në kuadër të kësaj jave kemi edhe ekspertë të fushave të ndryshme të cilët do të qëndrojnë në Kosovë me shumë takime në mes partnerëve tanë kosovarë dhe nga Franca”.
Më 27 mars në Prizren – ku është mbajtur edicioni i kaluar i “Javës së Frankofonisë” – do të bëhet përurimi i hapësirës “France” në universitetin “Ukshin Hoti”.