Afishet e filmave të Kino Lumbardhit, janë zëvendësuar me fotografitë, të cilat janë pasqyrë e viteve të 60-ta e 70-ta të antikitetit prizrenas.
Rrëfime vizuele, copëza jetësh, dokumente, pjesë gazetash janë pjesë e projektit “Pluhurosur” nga Somer Şpat.
“Ideja filloi për të bërë një hulumtim për arkivat familjare, për gjërat që kanë qenë të pluhurosura, në fillim mendoja ta bëj vetëm një vepër arti në formën e librit”, ka deklaruar Şpat.
Ky projekt, në përpjekje të dokumentimit historik e kulturor është shfaqur në formën e ekspozitës publike në një pjesë të Kino Lumbardhit dhe në formën e një libri.
“Në anën materiale krejt materialet, dokumentet, gazetat prej bibliotekës dhe fotografitë e çkado që kam gjetur për këtë hulumtim, kanë qenë të pluhurosur në podrume apo tavane. Këto storjet kanë qenë në pluhur, njerëzit nuk flasin për këto gjëra të cilat janë interesante, po më duket si popull nuk kemi qef me u marr me historinë e përditshme”, tha Şpat.
Ish-studenti i Fotografisë në Universitetin “Mimar Sinan” të Stambollit dhe atij në Hamburg të Gjermanisë tregon se ky projekt përbëhet nga 8 cikle.
“Fillimi është një fotografi nga lartë nga Prizreni, pastaj vazhdon me fëmijët e viteve të 60ta dhe 70ta. Janë fëmijët në oborr, me top, në bahçe, me shoqëri. Pastaj vazhdojnë shkollat, si u duk edukimi, fillon me një listë prej 74 emrave të arsimtarëve dhe nënshkrimeve të tyre në kuadër shkollës “Mehmet Baki”, plus një fotografi në grup 30 arsimtarë, të cilët janë në atë listë, vazhdon klasat, arsimtari tjetër”, tha ai.
Pjesa prej së cilës ka lindur edhe kopertina e projektit, i takon gruas dhe transformimit të rolit të saj në shoqëri.
“Para Luftës të Dytë Botërore, për Prizren e kam fjalën, gratë kanë qenë në shtëpi. Pas Luftës së Dytë Botërore, atëherë kur kanë filluar të hapen fabrikat, gratë kanë filluar të jenë në jetën sociale, në punë. Është Fabrika e Printekstit, është një fotografi tjetër një bahçe, që prezanton një grua të vjetër që ka ardhur një i njohur në shtëpi me aparat dhe ka dashur ta fotografoj atë grua. Ajo ka thënë “fotografo bahçen time, jo mua”, ajo bahçe reprezanton atë grua”, ka treguar Şpat.
Teatri, lista e shfaqjeve bashkë me regjisorët e dramaturgët e tyre përbëjnë ciklin e 3-të të “Pluhurosur”. Dokumentimi historik vazhdon tutje edhe me ushqimet tradicionale të cilat kanë mbushur tryezat e Prizrenit ndër festa.
Koncentrimi ndaj pikave frekuentuese të qytetit antik rrumbullakohet me të ashtuquajturën “Pllazhë e Prizrenit”, e cila freskonte qytetarët në fshatin Nashec.
Retrospektiva kolektive është ringjallur edhe te dëmtimet që ka pësuar Ura e Gurit, si pasojë e vërshimeve në Dukagjin.
“Është një shkrim prej një ditari të një fëmiu njeriu i fundit që ka kaluar prej Urës së Gurit. Është vonuar në shtëpi, prindërit i kanë thënë të vinë në shtëpi para se të bëhej mbrëmje, taman në atë kohë ka qenë gati të prishej Ura dhe s’e kanë lënë të kaloj, por ai ka hipur mbi gurë, në atë moment ka rënë një lis dhe ka prishur (Urën)”, tregon Şpat.
Mirëpo, gjithë ky rrugëtim i entuziastit të dokumentimit kishte filluar dikur, kur ai kishte qenë i vogël në moshë.
“Fotografia ka filluar duke prishur aparatat e prindërve. S’mund t’i numëroj sa kamerën e kam prishur. Kam prishur duke fotografuar, duke provuar gjëra që s’do të duhej t’i provoja, në moshën e adoloshencës kam pasur një kamerë, kam filluar të fotografoj”, thotë ai.
Somer tanimë është mishëruar me fuqinë dhe rëndësinë e koleksionimit fotografik dhe bartjes së tyre në gjeneratat e reja. Por, ai vlerëson se gjendja nuk është mirë për këtë fushë.
“Në Kosovë ne s’kemi një arkivë të fotografisë taman si duhet. Në arkivat e Komunës ose këto që ekzistojnë në Kosovë nuk janë të kategorizuara, është shumë vështirë t’i gjesh dhe janë shumë pak. Shembull lagjen time, rrugën nëse dua ta di se si është dukur para 30 viteve, s’kam si ta shoh. S’kemi histori vizuale”, deklaron ai.
Artisti nga Prizreni, Somer Spat thotë se projekti “Pluhurosur” ka nisur qe një vit, për të mos mbaruar deri të ketë forcë të dokumentojë historinë kulturore.