Ajo gjen qetësinë kur rrethohet me tinguj.
Ebru Jilta (Zhilta) kudo që ndodhet e ndjen nevojën për të kënduar. E instrumenti i saj më i dashur që nga koha e fëmijërisë është kitara.
Jilta, e cila me prejardhje është nga Turqia, por jeton në Kosovë, ndjen dëshirën të dëgjojë këngë të huaja dhe njëkohësisht t’i këndojë ato, raporton KOHA.
Fundjavën që shkoi, ajo u bë pjesë e edicionit të 15-të të Festivalit Ndërkombëtar të Muzikës “DAM”.
Nëpërmjet zërit të saj erdhën këngë nga vende të ndryshme e të largëta. Ajo këndoi këngë turke të gërshetuara edhe në gjuhën shqipe.
Për Ebrun, muzika s’njeh kufij, e të tjerët e përshkruajnë si një zë që i bën të shkëputen nga realiteti.
Ebru thotë se brendësinë e saj mund ta shprehë vetëm nëpërmjet muzikës. Edhe gjatë kohës së studimeve në Turqi, ajo kudo e kujton veten duke kënduar.
Ebru Jilta po planifikon që së shpejti ta realizojë një album muzikor me këngë të përpunuara.