Artisti Bedri Haziraj teston kujtesën e publikut për viktimat e luftës. Veprat e tij prekin një prej çështjeve me të ndjeshme të luftës së fundit: të zhdukurit.
Veprat ngjajnë me eshtra njerëzish. Për nga stili prekin realen, por shkojnë deri tek abstraktja.
Vetë titulli i ekspozitës së hapur në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani” vjen si pikëpyetje. E titulluar “Deri kur...”, ekspozita kërkon përgjigje për vendndodhjen e të pagjeturve.
Katër prej skulpturave në hollin e Bibliotekës krijojnë efekte kryesisht abstrakte. Estetika vjen e para në konsideratë. Tetë të tjerat në hollin sipër janë format reale të eshtrave të njeriut që bashkë me kutitë e bardha e kompletojnë instalacionin. Vijnë në formë varrezash dhe si simbolikë për kërkimin e identitetit të 1.617 personave.
Njëra prej veprave është krejt e veçantë. Janë duart e dergjura në tentativë për të zgjeruar grilat që i kushtohet veprimtarit Ukshin Hoti.
Secila prej tyre është rrëfim më vete dhe pjesë integrale e ekspozitës së parë personale të Bedri Hazirajt, që është hapur në Ditën e Çlirimit.
“Për këtë ekspozitë jam përgatitur thuajse katër vite. Është një brengë, një plagë e vjetër, e cila edhe sot lëngon tek familjet e të pagjeturve, për ata kam zgjedhur që sot, pasi që është edhe Dita e Çlirimit të Prishtinës, t’u jap një mesazh të gjithë atyre që të punojnë më shumë për ta”.
Autori ka treguar se ka qenë e vështirë puna në dru dhe se nëpërmjet tyre ka synuar të madhështojë konceptin për të pagjeturit.
“Të gjithat janë në formë të eshtrave. Janë, ashtu siç i kam quajtur, mbi një sfond të bardhë, bazamentet që kanë një simbol monumental që i ngrenë në piedestal ata që dhanë gjakun për vendin”.
Revoltë vizuale për moszbardhjen e fatit të të pagjeturve i ka përshkruar veprat kuratori i ekspozitës e profesori Ismet Jonuzi.
“Në bazë të temës si e ka titulluar, ‘Deri kur..’ do të thotë se deri kur do të gjenden të pagjeturit. Është një temë që e rëndon shoqërinë tonë kosovare qe 24 vjet, një temë shumë e rëndë. Autori është munduar që përmes skulpturës të flasë për subjektin të cilin e ka impresionuar. Është temë që nuk është Bedriu i vetmi që është marrë me të, ka shumë artistë dhe disi është konsumuar kjo temë, por mendoj se është i pari në skulpturë”.
Ekspozita vjen si porosi konkrete me përpjekjet për të vizualizuar mendimet për të kaluarën dhe të sotmen.
“Pjesa e luftës, invalidët, çdoherë lihen pas dore e me këtë shihet qartë që ende ka vuajtje të tilla, ende e ndiejmë dhimbjen”, deklaroi Edisona Deliu.
Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri të shtunën në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës.