EXPRESS

Betim Bregovina sjell traditën shqiptare nëpërmjet imazheve

Për fotografin Betim Bregovina, shikimi i dobësuar nuk është pengesë, por sfidë të cilën ai e ka shndërruar në art me ekspozitën “Konaku”. Imazhet e tij fokusohen tek oda shqiptare, një institucion që, sipas Bregovinës, ka qenë dikur qendra e jetës shoqërore dhe familjare.

Me shikim të dobësuar, por me vizion të qartë, Betim Bregovina sjell imazhet për artin dhe trashëgiminë kulturore në ekspozitën “Konaku”, e hapur të martën në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës.

Fotografitë e tij zbërthejnë elementet tradicionale të odës shqiptare. Ky mozaik vjen si thirrje për ruajtjen e traditave.

“Unë jam tu provu me e përcjellë si formë edukimi për arsye se detajet, oxhaku, llapma, sfungjerët, shkamat, djepat tashmë nuk funksionojnë, po thuajse kanë pushuar së funksionuari në jetën e përditshme.. nuk funksionojnë më , nuk i përdorim më”, tha Bregovina.

“Konaku” ka fuqinë e rikthimit në kohë duke prekur kujtesën kolektive. Rrëfimi që sjell është kontrasti i epokës së teknologjisë.

“Ne në këtë shumësi zgjedhjesh edhe zgjidhjesh me ju kthye pak me kujtu e mos me harru traditën tonë, mos me harru se kush kemi qenë dje se ne nuk jemi veç sot me Iphone e me tablet por jemi ata që kemi qenë dje”, tha Bregovina.

Ani pse shikimin e humbi me kohë, Bregovina – autor i disa përmbledhjeve me poezi - kujtimet dhe lidhjen e tij me odën, që nga fëmijëria nuk i harroi. I ka kthyer në një vepër arti.

“Unë e kam mbërri odën e gjyshit si objekt jo si funksion. Si fëmijë më ka bo përshtypje ndërtimi i saj që ka qenë një dhomë poshtë.... Me një korridor që ka qenë realisht stalla e kuajve dhe dhoma e mysafirëve”, tha ai.

Pasioni i tij për fotografinë nisi në vitin 2005, kur bleu aparatin e tij të parë. 
Fillimisht eksperimentonte me fotografimin e momenteve të zakonshme, por më vonë kjo punë u kthye në një mision.

Ekspozita “ Konaku” do të jetë e hapur tri ditë në Bibliotekën Kombëtare.