Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
EXPRESS

Artistja hedh njeriun në det përballë kufijve e vdekjes

Çështjet e ndarjes së territorit detar janë kryefjalë në dy veprat e artistes boshnjake Lana Çmajçanin. “A Change is Gonna Come II”, që vjen si vazhdimësi e asaj që u shpalos më 2015, zbulon peizazhin përtej të pafajshmit. Ballafaqon të tashmen me të kaluarën në atë që pikërisht mision e ka Qendrën e Dokumentimit në Kosovë.

Veprat e saj i ndërlidh me konceptin e luftës. Të tillë e konsideron edhe demarkacionin, megjithëse atë e lidh me vdekjen e emigrantëve në ujërat dhe në kontrastet e fateve të njerëzve se si i qasen këtij peizazhi.

Zërat vijnë si jehonë në Qendrën e Dokumentimit, në bodrumin e bibliotekës së qytetit “Hivzi Sulejmani” në Prishtinë. Ato flasin për vdekjen në të njëjtën hapësirë ku është ekspozita me imazhet, veshjet e lodrat e mbi 1.100 fëmijëve të vrarë gjatë luftës në Kosovë, e që titullohet “Na ishte njëherë një kurrë mos qoftë”.

Hapësira e Mesdheut vjen si një det që simbolizon udhëtimin e fundit për shumë njerëz. Në prezantimin e punës së saj, artistja boshnjake ka thënë se përzgjedhja e titullit nxit mundësitë e ndryshimit.

“Praktika ime artistike është e bazuar në të kaluarën dhe është negocim për të ardhmen. Kjo është e vështirë kur flasim në kontekstin e Jugosllavisë, Bosnjës e Kosovës dhe të gjithë Ballkanit, për të kaluarën koloniale. Duhet ta përmend se edhe hapësira ku jemi duke zhvilluar aktivitetin është shumë interesante, shumë e trishtë, është edhe një lloj historie personale e imja”.

Edhe Artistja hedh njeriun në det përballë kufijve, luftërave e vdekjes Kulturë Artistja hedh njeriun në det përballë kufijve, luftërave e vdekjes

Në veprën “A change is gonna come II” horizonti detar është edhe peizazh filozofik e poetik bazuar në tekstin që përcjell pamjet e peizazhit të pandryshuar gjatë krejt kohës. Duket se sjell pamjen e detit të pafund në momentet e fundit të jetës. Një rrugëtim i pafund dhe i pashpresë ku njeriu s’ka ku të mbahet pos të lëshohet në shtresat e panumërta të hapësirës ujore.

Ngjarja që është pjesë e programit të Qendrës së Dokumentimit në Kosovë ka si qëllim prezantimin e punëve artistike me fokus në ballafaqimin me të kaluarën.

Kuratorja Blerta Hoçia, e cila e ka drejtuar prezantimin, e ka vlerësuar veprën si tejet poetike.

“Kur qëndron ideja aty brenda, nuk ke nevojë ta shohësh atë. E përmende se nuk ke pasur nevojë për përmbajtje grafike. Nuk është vetëm reprezentative, por edhe shumë poetike”.

E vetë autorja e veprës i është referuar punës së saj si trajtim piktoresk i vdekjes.

“Nganjëherë sheh se si stuhia po ikën dhe dielli fillon të rrezojë. Për mua është një formë e të parit të së bukurës dhe në anën tjetër është një varr masiv që bëhet i tillë nga mbytja e emigrantëve. Përjetimi i turistëve është e kundërta e udhëtimit të tyre. Këtë e kuptoj si diçka paradoksale dhe kontradiktore. Është kënaqësia në det, dhe në anën tjetër fryma e fundit”.

Sipas artistes Lana Çmajçanin, është problematike se si trajtohet çështja e mbytjeve të anijeve me emigrantë dhe normalizimi i këtyre ngjarjeve.

Edhe “The Blue Hour” në një botë pa përkatësi midis atdheut dhe disporës Kulturë “The Blue Hour” në një botë pa përkatësi midis atdheut dhe disporës

“Flet për privilegjin e të shkuarit në det, për perspektivën turistike në kontrast me të hidhurën që ndodh aty. E kam bërë këtë vepër në bashkëpunim me Olgën, dhe kur e kam bërë një hulumtim për të ndërtuar këtë rrëfim e kam ditur që në fillim se duhet të kem një imazh të vdekjes në det, sepse e kam gjetur shumë problematike se si trajtohet kjo dukuri. Sidomos në media dhe se si kemi ardhur në një gjendje kur normalizohet vdekja”.

Me krejt dimensionet e saj, artistja Lana Çmajçanin mbi të gjitha trajton fatin e njeriut. Përjetimet dhe tretja e tij në ujërat e trazuara janë në qendër të “A Change is Gonna Come II”, që pret për ndryshim.