EXPRESS

Artisti në labirint eksploron kujtimet me vepra

“Brand New Ancients” është rrëfimi jetësor i Dardan Zhegrovës me art. Një lloj monografie artistike e shkrirë në instalacione tekstilesh, tingujsh e skulpturash nëpërmjet të cilave ndërtohen kujtime.

Skenografia e ekspozitës vjen kronologjikisht prej fëmijërisë e deri më sot. Periudha e fundit është hapësira boshe në të cilën reflekton etapat e deritanishme. Veprat i bëjnë të gjalla dhe i nënshtrojnë në transformim kujtimet.

“Maze” është e para vepër me të cilën vizitori bie në kontakt. I kushtohet eksplorimit të kujtimeve të para të artistit. Ngjan në një lloj labirinti. Secili nga kujtimet avancohet me efektet zanore duke intensifikuar ndikimin e tregimeve me art, që sikur flet për ndjeshmërinë e artistit në kuptimin e jetës dhe gërshetimin e ngjarjeve të saj.

Kuratorja e ekspozitës, austriakja Catherin Mayer, ka thënë se gjithçka lidhet me kujtimet e artistit.

“Labirinti është simbolikë e kompaktit të kujtimeve. Ato nuk janë koherente. Mund të shkosh në një drejtim, të kujtohet diçka, por ajo fshihet. Por nganjëherë të duket se është një kujtim, por është diçka e momentit. Ka të bëjë më shumë me mendimin se në çfarë mund të kthehen kujtimet, të shkruara në material”.

Me t’u larguar nga labirinti i krijuar nga instalacioni me tekstil dhe audio, vjen ndeshja me një varg skulpturash. “Entitetet” janë veprat që sjellin një përjetim më mistik. Me praninë e audios gjithandej, tek “Entitetet” krijohet iluzioni se ato komunikojnë me shikuesit.

Autori i veprave, Dardan Zhegrova, ka treguar se skicat për këto vepra janë shkruar në vitin 2007. I kishte përshkruar si krijesa që mundësonin ikjen dhe si çelësa për një botë tjetër.

“Është si një udhëtim nëpër hapësirë ku e kaluara është duke e formuar të tashmen, duke e drejtuar të ardhmen, pasi vizatimet janë prej 2007-s, janë transformuar në skulptura në të tashmen. Me rëndësi për mua është që shikuesi ta shohë si eksperiencë intime nëpër krejt ekspozitat për shkak që edhe ajo ‘Maze’ labirinti derisa vjen këtu, mandej i takon ‘Entitetet’, mandej është ‘Kështjella’ me vizatime të caktuara që janë prej momenteve të së kaluarës. Janë momente tepër të rëndësishme në jetën time”.

Veprat shihen si shoqëruese imagjinare, ndërkohë “Voodoo Dolls” janë frymëzuar nga format e kukullave të vendosura në tjetër dhomë ekspozuese.

Të punuara në material të tejdukshëm, drita e shënjestruar në vizatime e bën të reflektojë në mur me krejt ngjyrat e veprave. Janë pjesë e instalacionit “The Castle” që në përgjithësi ndërthur imazhe dhe lidhjen personale me to te vizitorët e galerisë artistike të Zhegrovës.

Kapitulli i fundit është dhoma boshe që e përbën veprën “Oneness”, me shumë ndriçim dhe ku krejt çfarë përjetohet janë kujtimet që vijnë të projektuara në audioinstalacion.

Ato i ka punuar muzikanti Tomor Kuçi, i cili është bazuar në incizimet dhe poezitë e artistit.

“Është si njëfarë udhëtimi që lidhet edhe me kujtimet e Dardanit, shumë elemente që ai i ka shprehur, por edhe me kujtimet që i ka shprehur edhe nëpërmjet poezisë. Këto poezi m’i ka dërguar dhe unë nëpërmjet tyre jam inspiruar për t’i bërë këto, që po i quaj si kompozime me tinguj të kësaj forme që ngjasojnë me muzikën e ambientit. Ka plot audioincizime që Dardani m’i ka dërguar ato çfarë ka xhiruar me telefon, por kemi punuar edhe në studio”.

Kuratorja e Galerisë Kombëtare të Kosovës, Hana Halilaj, ka thënë se fokusi sivjet ka qenë në prodhimin e ekspozitave personale dhe veprave të reja krahas ekspozitave retrospektive dhe kolektive.

“Për Galerinë dhe programin e saj për vitin 2023 fokusi ka qenë në mbështetjen e realizimeve të reja dhe sidomos artistëve të rinj. Përveç ekspozitave grupore dhe atyre retrospektive që kemi pasur, të gjitha ekspozitat e tjera kanë qenë komisione apo prodhime të porositura për ekspozita personale në Galeri. Jo vetëm për ne është e rëndësishme që puna e tyre prezantohet për herë të parë, por kjo mbështetje dhe këto bashkëpunime shkojnë përtej prezantimit në Galeri”.

Ekspozita qëndron e hapur deri më 4 janar.

Me krejt shpalosjen e botëkuptimeve dhe të kaluarën, artisti lë pyetje pa përgjigje në kapitullin e fundit të ekspozitës. Atë që ende nuk e ka shkruar në serinë e rrugëtimit që ringjall kujtimet.