EXPRESS

Arti i errësirës, Aleksandra Krasavina flet për stilin e veçantë

Shpeshherë arti pasqyron të bukurën, dashurinë e paqen. Por kjo nuk ndodh në vizatimet e Aleksandra Krasavinës.

Në forma të ndryshme, gjithmonë me dominim të së zezës, artistja nga Moska shpërfaq në letër një anë tjetër të njerëzimit, transmeton KOHA.

“Unë jam Alex, jam 25 vjeçe, jetoj në Moskë, Rusi, dhe jam artiste. Stili me të cilin punoj më shumë është “arti i errët grafik”. Më pëlqen estetika e errët e gjërave. Në veprat e mia shpreh forma të errëta, që jetojnë diku në shpirtin e njeriut dhe nganjëherë shtoj edhe pak satirë në to”, thotë ajo.

E inspiruar nga gjërat e njerëzit që e rrethojnë, në secilën vepër Krasavina ruan stilin e saj.

“Më së shumti e preferoj vizatimin e fytyrave… Fytyra ekspresive që kam parë dhe i kam memorizuar, fytyra të cilat më pas përfundojnë si vizatime në letër. Ose, janë vetëm imagjinatë e imja. Fytyra mund të tregojë shumë për një njeri, sidomos sytë, shprehja në ta, mënyra se si dikush të shikon. Më pëlqen të kaloj kohë në rrugë ose në ndonjë lokal, duke dëgjuar muzikë dhe duke shikuar njerëzit tek kryejnë punët e tyre. Mund të shohësh shumë fjalë të pathëna në fytyrat që të rrethojnë, mund të shohësh dikë plot emocione e entuziazëm, që mund të përfundojë si pjesë kryesore në punën tënde të ardhshme”, thotë ajo.

Talentin e saj artistik, përveç në letër, e shpreh edhe në lëkurën e të tjerëve.

“Nuk jam profesioniste, është thjesht hobi im. Nëse dëshiron të bëhesh artist tatuazhesh, duhet të kesh shumë eksperiencë në këtë fushë. Ndërsa unë, thjesht, punoj për shoqërinë time kohë pas kohe. Unë do ta quaja veten vetëm artiste që e ka një makinë të tatuazheve”, .

Edhe pse vendlindja e saj shquhet në botën e artit, Aleksandra thotë se në sistemin edukativ rus mungon liria e shprehjes.

“Nuk kam ide rreth sistemit të edukimit artistik në vendin tuaj, por në vendin ku unë kam studiuar kemi pasur vetëm prezantime akademike… për çdo gjë. Edhe në lëndët ku duhet të shprehësh veten, është dashur të shprehesh ashtu siç kanë dëshiruar profesorët. Për këtë arsye, pas përfundimit të studimeve, për një kohë të gjatë nuk kam dëshiruar të vazhdoja më me këtë profesion… e gjitha për shkak të stileve që më është dashur të ndiqja gjatë studimeve”, shprehet ajo. “Nuk dua të them se rregullat akademike janë të këqija dhe se s’duhet t’i ndjekim, jo. Janë punë që japin dituri, e cila të ndihmon më pas në krijimin e stilit tënd”.

Sipas saj në art është e rëndësishme të jesh vetja, ta shohësh veten në gjërat që i krijon, jo vetëm të ndjekësh rregullat dhe ligjet e thata të “formacionit”.

“Për ta përkufizuar më mirë, nëse përbrenda je artist, do ta gjesh rrugën tënde, ashtu si unë. Në këtë moment nuk më kënaq asgjë më shumë sesa kur vizatoj çfarë me të vërtetë më pëlqen”, thotë ajo.

25-vjeçarja nga Moska ka diplomuar në artet dekorative dhe është e specializuar në punëdore.