EXPRESS

Arti i Balzanos në kërkim të identitetit

Rrëfimi për ekspozitën “Fuori dal mondo” (Jashtë botës), prapaskenat dhe idetë që konkretizon ajo, e kanë sjellë artistin italian Christian Balzano në Prishtinë. Diskutimi për veprat që synojnë të ngrenë pikëpyetje mbi gjendjen e planetit dhe rreth asaj nëse mund të ndryshojë identiteti historik e kulturor i vendit, ka qenë shkas i takimit të tij me publikun.

Feja, kontinentet, shtetet, koncepti i kufijve, janë disa prej temave që janë shtjelluar nëpërmjet shpjegimeve të ekspozitës. Krahas saj, artistja Zake Prelvukaj komunitetin italian në Prishtinë e ka njoftuar me artin e saj.

Veprat e italianit – shumica prej tyre monumentale – janë sjellë në sallën “Idriz Ajeti” në Fakultetin e Filologjisë nëpërmjet pamjeve. Aty shihet se veprat janë të lidhura me njëra-tjetrën. Zanafilla e idesë së tij kishte qenë një hartë e vitit 1580 e hartografit Epichtonius Cosmopolites.

“Më ka inspiruar një hartë e vitit 1580 e quajtur ‘Harta e Njeriut të Çmendur’, ku ishte e shkruar një thënie në latinisht: ‘Mbretëritë dhe njerëzit bëjnë projekte me të cilat njeriu qesh’. Duhej të bëja një projekt mbi këtë hartë antike, sepse është diçka që fatkeqësisht ka ndodhur dhe ne vazhdojmë ta jetojmë atë. Materialin e saj e mendova si një individ, pastaj e përdora në vende të ndryshme, si për shembull e kam futur në ujë për shumë ditë për të treguar se çfarë ndodh me emigrantët që udhëtojnë në det drejt një bote tjetër”, deklaroi Balzano.

Artistja Zake Prelvukaj e ka vlerësuar trajtimin e artefaktit duke e vënë në shërbim edhe në ditët e sotme.

“Ndonjëherë artistët në krijimtarinë e tyre pa ditur se ekzistojnë, krijojmë me dashje dhe pa dashje. Çfarë më fascinoi, ishte se kur një artist di të prekë faktografinë e viteve ‘50 dhe i sjell në mënyrën më të bukur, dhe çfarë na shërben sot. E ka bërë shumë bukur. Mendoj që ne do të donim që të mos kishte kufij. Një artist di të mos e lërë artin të kufizuar brenda një hapësire, por zgjedh hapësira siç janë katedralet e ndryshme apo hapësirat e tjera që komunikojnë mesazhe të ndryshme”.

Majlinda Bregasi, profesoreshë në Fakultetin e Filologjisë, ka parashtruar pyetje për artistët. Njëra prej tyre ka qenë se sa ka forcë arti të ndryshojë rrethanat. Sipas artistit Balzano, arti nuk mund të ndryshojë botën, por kulturën po.

“Të gjitha artet mund të ndryshojnë mënyrën tonë të të menduarit, mund të japin një pasqyrë tredimensionale të ideve që arti mund të prodhojë sepse arti ka një forcë shumë të madhe. Na prek në emocione të fuqishme. Sipas meje nuk mundet i vetëm të ndryshojë gjëra kaq të mëdha siç është problemi i ndryshimit klimatik. Arti duhet të ndërrojë mendjen e njeriut dalëngadalë”.

Balzano ka diplomuar si mjeshtër i artit të qelqit dhe kristalit në vitin 1987 në Institutin e Artit të Pizas e më pas ka ndjekur Akademinë e Arteve të Bukura në Firence. Ka marrë pjesë në shumë ngjarje në Itali e në skenën ndërkombëtare.

Ngjarja është organizuar në kuadër të Javës së Gjuhës Italianë në Kosovë, e organizuar nga Ambasada e Italisë në Prishtinë. Sipas zëvendësambasadorit Ugo Ferrero, ngjarja ka fjalë të përbashkët gjuhën italiane.

“Çdo vit zgjidhet një temë që është kryefjalë e gjuhës italiane. Këtë vit tema është ‘Qëndrueshmëria’. Këtu kemi një artist të afirmuar që me punën e tij vetëdijeson se sa tema i trajton arti që kanë të bëjnë me njeriun, planetin. Arti dhe kultura janë faktorë të rëndësishëm që na e hapin mendjen, na emocionojnë. Një emocion që në këtë rast na bën të veprojmë”.

Krejt në fillim të ngjarjes, profesoresha Majlinda Bregasi ka thënë se është mrekulluar me punën e Bolzanos.

“Projekti ‘Jashtë botës’ në të cilin ai ka punuar dy vjet, është përfunduar në Pallatin e Firences. Kam mbetur e mrekulluar nga gjetjet artistike. Idetë dhe realizimi i tij janë për të dhënë emocionin, për të menduar, por edhe për të vepruar”.

Ndjesi të tillë ka dhënë prezantimi i artit të tij në Prishtinë, ani pse publiku është njoftuar me veprat e tij nëpërmjet video-projeksionit.