“Si do të jetojmë së bashku?” Kjo është pyetja që sivjet do të ngjallë debat në Bienalen e Arkitekturës në Venecia.
Pas një viti mungesë shkaku i pandemisë, temat për ambientin dhe se si mund të jetojnë njerëzit përkrah njërit-tjetrit, dominojnë instalacionet e edicionit të këtij viti.
Instalacioni “Common Water: The Alps” shërben si alarm se akullnajat po shkrihen.
Ky instalacion shpërfaq situatën aktuale si rezultat i shkrirjes së akujve që po çrregullojnë barazpeshën ujore, që do t’ia pamundësojë maleve të kryejnë funksionin kryesor në Evropë.
Shkrirja e akujve është një prej temave me të cilat synohet të ngrihet vëmendja te çështjet me urgjencë që rrezikojnë ndjeshëm jetën në tokë.
Hashim Sarkis, kurator i Bienales së Arkitekturës, thotë se në krejt instalacionet vërehet tema e krizës globale.
“Në pesë nivelet e Bienales ndryshimet klimatike janë të dukshme, pasi mendojmë për të ardhmen tonë në një planet të vetëm, mbrojtjen e oqeaneve, burimeve natyrore dhe krijimin e një ndërgjegjeje globale”, tha Sarkis.
Një instalacion më i veçuar është ai i arktiektes Pinar Yoldas. Përqendrohet në oqeanet e botës. Projekti është i përbërë nga gjashtë kapituj. Krejt të çojnë te vdekja.
Akuariumi me flluska simbolizon Oqeanin me acid. Kjo pjesë e instalacionit shtjellon kiminë komplekse të oqeanit që siguron një ambient për botën ujore.
“Arkitektura po zgjeron kuptimin e saj dhe po shkon drejt mënyrave tjera të jetesës, prandaj duhet të mendojmë në periudhën kur përqendimi ynë nuk duhet të jetë te ndërtesat nga të cilat mund të përfitojmë siç janë qendrat tregtare dhe rrokaqiejt, por te një arkitekturë që kryen punë dhe i ofron hapësirë njeriut dhe formave tjera të jetës”, tha artistja Pinar Yoldas.
Në instilacionin tjetër “The World Turned Inside Out” portretizohet Toka siç njihet, me autostrada, hekurudha, linja detare dhe kabllo. Brenda saj është Toka që mund të jetë, ajo që nuk e dimë, por do ta mësonim sikur të bënim një hap prapa.
“Është fotografi e botës si planet i vetëm dhe fillon të pyes se si mund të jetojmë në të, por në një tjetër mënyrë, se si mund ta trajtojmë idenë e të njohurës dhe panjohurës”, deklaroi Joyce Hsiang, arkitekt i projektit.
Instalacioni bën thirrje për ndaljen e hulumtimit të Tokës. Është pasqyrim se si mund të dukej Toka sikur të bëhej një ruajtje më strategjike e saj.
Instalacionet tjera në edicionin e 17-të të Bienales së Arkitekturës shpërfaqin pasojat e ndryshimeve klimatike në Antarktik. Krijuesit e këtyre instalacioneve janë të mendimit se kthimi i vëmendjes për ruajtjen e Antarktikut është vendimtar në ruajtjen e planetit.