Në sallën e teatrit “Oda” të hënën mbrëma u dha premiera e shfaqjes “Arbri”, nën regji dhe me tekst të Lirak Çelajt. Kasta e aktorëve e përbërë nga Shkumbin Istrefi, Qendresa Jashari, Labinot Raci, Daniela Markaj dhe Blend Sadiku për një orë luajnë rolet e tyre në skenën e teatrit “Oda”, e cila e ka marrë pamjen e një dhome të shtëpisë. Në rolin e Arbrit vjen Shkumbin Istrefi për të cilin premiera e kësaj shfaqjeje shënon edhe rikthimin e tij në teatër pas 13 vjetëve.
Shfaqja shtjellon sëmundjen e demencës jo vetëm në kuptimin mjekësor. Arbri vuan nga kjo sëmundje. Vitet e jetës nëpër të cilat ka kaluar duket sikur janë ndarë në qindra copëza e në asnjë mënyrë nuk mund t’i bashkojë për ta formësuar një kujtim.
Çelaj thotë se mundësitë e mangëta për trajtimin e sëmundjeve të tilla, mungesën e mbështetjes institucionale e harresën kombëtare i përçon si mesazh teksti i shfaqjes “Arbri”.
"Unë e kam përmendur vazhdimisht që këtu janë dy dimensione. E para është një situatë reale që po i ndodhë shumë familjeve në Kosovë, njerëz të cilët kanë sëmundje të ndryshme, në këtë rast demencën. Mundësitë për t'i trajtuar këto sëmundje nuk janë të mjaftueshme, si nga ana institucionale e më gjerë. Dhe kjo është një dramë nëpër të cilën kalon familja. ajo që shkon paralelisht me këtë ngjarje që unë jam mundu të ia jap dimensionin tjetër është nëse mund ta përdori shprehjen "demeneca kombëtare" ose "amnezia kombëtare". Ne shpesh po e harrojmë edhe historinë shumë të afërt që na ka ndodhur e lëre më atë më të largët. Po e harrojmë identitetin tonë, po i harrojmë rrënjët tona dhe orientimin tonë. Jam munduar me pakë fjalë, me disa batuta me e dhënë edhe këtë mesazh i cili mendoj se është shumë me rëndësi për ne".
Për këtë shfaqje regjisori tregon se u punua për më shumë se një muaj dhe se momenti i premierës është ai kur zbrazet e tërë ngarkesa e provave dhe hamendjes për paraqitjen para shikuesit.
Edhe
“Arbri” përballë amnezisë që cenon identitetin
"Natyrisht premiera është një moment i zbrazjes emocionale, i relaksimit pas një periudhe më se 1 muaj e gjysmë të provave. Ndonëse kanë qenë prova shumë të mira, shumë të relaksuara dhe kam punuar me një ekip shumë të mirë ku kam ndie kënaqësi edhe unë. Mund të them se ka qenë ndoshta prej punëve më të lehta që i kam bërë, në kuptimi e mënyrës se si ka shkuar. Ka shkuar mbarë puna sepse ka qenë edhe kasta e mirë edhe jemi kuptuar shumë mirë, kështu që ndihem mirë. Nuk më takon mua ta vlerësoj. shpresoj se i ka pëlqyer shikuesve. Tash e presim vlerësimin nga ta".
Çelaj konsideron se qëllimin me të cilin e ka shkruar shfaqjen e ka arritur dhe i takon publikut ta vlerësojë
"Që të jem i sinqertë i marr me rezervë komentet menjëherë pas premierës, e di që njerëzit ndonjëherë ta bëjnë edhe qejfin. Atë çka kam dashtë ta sjell në skenë unë e kam arritur atë rezultat. Jam i kënaqur me punën e aktorëve dhe të gjithë ekipit. Kjo është ajo që kam dashtë të shfaqë në skenë, kështu që unë jam i kënaqur me punën time".
Aktori Shkumbin Istrefi thotë se më lehtë do të ishte po ta luante demencën vetëm si sëmundje. Vlerëson se dimensioni tjetër të cilin Çelaj i ka dhënë mbart një barrë simbolike.
"Ky ka qenë qëllimi i Lirakut kur e ka shkruar tekstin. E ka shkruar me atë qëllim. Për mua ka qenë provokuese si aktor sepse është shumë më lehtë me luajtur ndoshta vetëm demencën pa e pasur këtë barrën tjetër, barrën simbolike. Në këtë aspekt ka qenë shumë provokuese për mua, por po besoj që ka funksionuar".
Për pjesën tjetër të kastës ka qenë me i lehtë aktrimi në këtë shfaqje. Kjo për arsyen se rolin kryesor e ka Istrefi dhe tërë studimin e sëmundjes dhe manifestimit të saj e kanë bërë në bashkëpunim me të.
"Ka qenë vështirë, por edhe ka qenë proces i kënaqshëm. Përparësia e neve të tjerëve është që rolin kryesor e ka profesori Shkumbin Istrefi, i cili e ka studiuar në mënyrë fantastike. Edhe pse është kthyer pas 13 vjetëve në teatër e ka studiuar në atë mënyrë që na ka ndihmuar edhe neve. Kemi diskutuar çdo ditë, kemi studiuar çka do që ka për demencën në mënyrë që ta shfaqim siç duhet", deklaron Labinot Raci.
Interesimi nga publiku për shfaqjen “Arbri” ishte i madh. Pjesë e audiencës ishte edhe sociologia Aurela Kadriu, për të cilën tema dhe mënyra se si u trajtua ajo në shfaqje ishte shumë e rëndësishme.
Edhe
“Gërrdia” e fshehtësisë së pashëruar që vret përditë
"Për mua ishte shumë e rëndësishme tema të cilën e trajton shfaqja dhe mënyra se si trajtohet kjo temë. Shëndeti mendor në përgjithësi është temë për të cilën flasim pak dhe të cilën e shohim pak të trajtuar mirë në teatër. Një çështje e tillë për rastet të cilat i kemi ndër ne, me e pa kështu dhe me u ballafaquar me të ke njëfarë përvoje jo edhe aq e këndshme, sidomos edhe me qasjen që institucionet shtetërore e kanë ndaj rasteve të tilla. Natyrisht në shfaqje pamë që kjo dinamikë e brendshme familjare ka shumë nuanca. Aty hyn edhe një realitet me të cilin ballafaqohen shumë familje në Kosovë, të cilat nuk kanë metoda që të ballafaqohen me të kaluarën e tyre e cila është pjesë e një narrativë më të madhe historike".
Reprizën e parë pas premierës shfaqja do ta ketë sonte nga ora 20:00 për të vazhduar më 16 dhe 30 mars.