Është më shumë sesa festival i teatrit. “Prizren Festi” ka marrë vëmendjen e skenës artistike e kulturore qysh në edicionet e para. Konfirmim i kësaj ka qenë publiku prej qindra njerëzve në hapje e tejkalimi i kapaciteteve në kinemanë “Lumbardhi” nën qiell të hapur.
Festivali ndërkombëtar i teatrit në ambient të hapur, ndryshe prej dy edicioneve të kaluara, këtë herë u hap me një shfaqje shqiptare. “Vizita” me autor anglezin George Wells, nën regji të italianit Davide Iodice, produksioni i teatrit “Migjeni” të Shkodrës ka ngritur perden maratonë të shfaqjeve me plot mesazhe.
Drejtori artistik i festivalit “Prizren Fest”, Adrian Morina, ka thënë se ky është simbol për përkushtimin, ruajtjen dhe promovimin e vlerave të teatrit shqiptar.
“Hapja e festivalit ‘PrizrenFest’ me një shfaqje shqiptare për ne ka rëndësi shumë të madhe pasi shërben si një urë e fuqishme për të lidhur botën tonë teatrore me atë ndërkombëtare dhe kjo zgjedhje e jona simbolizon përkushtimin për të ruajtur dhe promovuar trashëgiminë e pasur teatrore shqiptare”.
Publikun e ka paralajmëruar për përjetime unike e të paharrueshme gjatë ditëve të festivalit.
“Në këtë ambient të hapur, në liri, ku muret janë zëvendësuar nga qielli dhe skena është e rrethuar nga historia dhe natyra, teatri do të na falë një përvojë unike, të paharrueshme për të gjithë. Teatri është një medium që u flet të gjithëve, për të gjithë, vjen nga të gjithë. Ka ekzistuar para nesh dhe do të ekzistojë përjetësisht. Rroftë teatri”.
Ceremonia modeste e hapjes i ka paraprirë shfaqjes. Kryetari i Prizrenit, Shaqir Totaj, ka thënë se “PrizrenFesti” si festival i teatrit e plotëson mozaikun e ngjarjeve kulturore në këtë qytet.
“Prizreni po e konfirmon që është qendër e jetës kulturore të Kosovës. Teatri është si një manifestim i kreativitetit. Ka shumë talente këtu. Festivali ndërkombëtar i teatrove e ka kompletuar mozaikun që ndoshta i ka munguar jetës kulturore në Prizren. Bashkë me festivalet si ‘DokuFest’, ‘RockFest’ dhe të tjerë, Prizreni po shndërrohet në qendër të jetës kulturore. Përmes fuqisë së artit e promovojmë qytetin dhe Kosovën”.
Njeriu i katandisur në këtë botë, i prirë të reflektojë djallëzinë te një qenie krejt e re dhe e pazakontë, është kryefjala. Ai hyn krejtësisht i pastër në jetën e tyre, por antivlerat ndikojnë në transformimin e tij.
Tensioni është introja e shfaqjes. Publiku njoftohet menjëherë me kryepersonazhin, Engjëllin që i flet botës së re e të panjohur midis njerëzish. Ai jeton në botën e ëndrrave të njeriut si qenie në kontrast me të. Bota e tij është e tillë ku nuk pushohet, sepse nuk ka lodhje, nuk vuhet re sepse nuk ka dhimbje e nuk ka gëzim sepse nuk ka trishtim.
Tejet poetike ka qenë shfaqja e dramatizuar me tekst të shkrimtarit anglez George Wells. Aktorët shpesh kanë qenë edhe narratorë.
Engjëlli djallëzohet ngadalë. Petku i bullizimit nis ta mbulojë krijesën e veçantë të ngulfatur nga paranojat e njeriut. Fritz Selmani që e ka luajtur rolin, ka thënë se secili prej aktorëve në shfaqje jep mesazhe.
“Engjëlli korr shumë mesazhe. Vjen shumë i pastër dhe ikën shumë i ndyrë. E ndyn qenia njeri. Engjëlli në këtë rast mund të jetë pasqyrë e çdo njeriu. Ndoshta ka momente ku si engjëlli mund të jenë ndier shumë njerëz në faza të caktuara të jetës. Mendoj se është përpjekur të japë mesazhe kjo shfaqje, pa çka se secili personazh ka ardhur me mesazhe, ka përfaqësuar një grup të caktuar shoqëror”.
Në shfaqje është vetëm njëri që i kupton kryepersonazhet. Konsiderohet i marrë. Aktori Nikolin Ferketa që e luan këtë rol, ka thënë se shfaqja jep mesazhe se si i largojmë njerëzit nga vetja.
“Roli im ka qenë ai i të marrit, një person me aftësi ndryshe dhe vetëm ky e kupton engjëllin në të vërtetë, simbolikën e tij si njeri ndryshe prej tij. Është personazh për njeriun që rrallë haset por rrallë edhe kuptohet. Ka një karakter ndryshe që nuk mund ta ketë dikush tjetër, por ka ndjesi shumë të fuqishme. Mesazhi i kësaj shfaqje është mënyra sesi ne i largojmë njerëzit. Është një botë kaq e ndyrë me shumë antivlera brenda dhe vlerat e njerëzve i zhbën, si ato shpirtërore, morale e fizike”.
Shfaqja e ka pasur premierën vitin e kaluar me 26 tetor në Shkodër. Në festivalin e teatrit shqiptar “Moisiu” ishte fitues i trefishtë duke marrë çmimet: Shfaqja më e Mirë, Skenografia më e Mirë dhe Muzika më e Mirë.
“Vizita” është veç një fragment i festivalit që do të zgjasë deri më 28 korrik. Janë 22 shfaqje për tetë ditë dhe një listë e gjatë mysafirësh nga vendi dhe bota që do të sjellin vlerat e artit skenik. Midis tyre edhe aktorja Marie-Christine Barrault, e nominuar për çmim “Oscar”, që do të ngjitet në skenë për shfaqjen “Udhëtimi në Cyrih”.