EXPRESS

Poezia e dokumentimit të luftës së Kosovës

Pëlqeje KTV Video për të parë video të përzgjedhura nga KOHA
 

Edicioni i dytë i Festivalit Poetik të Prishtinës, në mbrëmjen e dytë është karakterizuar nga një sërë aktivitetesh në qendrën shoqërore “Termokiss”. Nisi me diskutimin me shkrimtarin dhe studiuesin Gëzim Aliu, për të vazhduar me promovimin e librit “Amë” të Nora Prekazit bashkë me një panel diskutimi me Vlora Konushevcin, Arbër Selmanin dhe Donika Dabishevcin. Hapësirë iu dha një teme të veçuar në letërsi. Nën titullin “Letërsia dhe Lufta” pjesa e dytë e mbrëmjes qe rezervuar për lexim poetik nga pesë poetë, të cilët me vargje të tyre kanë dokumentuar përjetimet e luftës së fundit në Kosovë.

Drama e luftës edhe pse e rëndë për njerëzimin ka shërbyer kaherë si frymëzim për vepra të mëdha. Fuqia e vargut poetik është dëshmuar si një dëshmi e evokim i së kaluarës. Ajo shihet edhe si një rishikim i historisë së trishtë, një lloj ballafaqimi me traumën. Ishin pikërisht vargjet poetike të pesë poetëve që e manifestuan edhe njëherë fuqinë e letërsisë në artikulimin e emocioneve njerëzore. Kjo pjesë e mbrëmjes, moderuar nga prezantuesja Alketa Gashi-Fazliu nisi me Halil Matoshin dhe poezitë e tij të karakterit autobiografik, të cilat paraqesin tmerrin e përjetuar nga subjekti në kohë lufte.