Bota e gjallë, bimët dhe gjallesat e imëta janë elementet kryesore në veprat e Genc Kadriut të prezantuara në Galerinë Kombëtare të Kosovës. Arti që paraqitet brenda kornizave që rrethojnë sipërfaqen prej pëlhure duket si një lloj simbioze e cikël jete.
Veprat sa gjenerojnë mesazhe aq edhe distancohen me shikuesin. Ngritin pikëpyetje për ekzistencën dhe sikur përplasin realitetin me fantazinë. Shpesh janë imazhe të panjohura ato në ekspozitën “Atelieja e piktorit të panjohur”.
Galeria Kombëtare e Kosovës ka hapur dyert për vepra shumëngjyrëshe që fshehin shumë elemente përbrenda. Ngjan në një lloj guximi të artistit e provokim nëpërmjet shprehjes personale.
Krijesa të vërteta si flutura e zhapinj janë plastifikuar në një formë me dyllë blete. Në të njëjtën mënyrë u është bërë vend edhe luleve të ndryshme e myshqeve në sipërfaqet e veprave. Duket se aty lulëzon bota e gjallë e në të njëjtën kohë pasqyrohet loja e natyrshme e artistit në sfondin e veprës.
Pos stampimit të artit të tij në sipërfaqe, ekspozita pasurohet me skulptura.
Veprat e artistit Kadriu janë prezantuar për të parën herë në institucionin më të madh të artit pamor në vend. Sipas kuratores së Galerisë Kombëtare, Hana Halilaj, kjo ekspozitë ka qasje eksperimentale.
“Si ekspozitë e parë ka një qasje eksperimentale pasi që Genci tashmë punon qe 20 vjet. E kjo qasje eksperimentale ka filluar që nga trajtimi i hapësirës e deri në prodhimin e punëve të reja, të cilat janë prezantuar për herë të parë në këtë ekspozitë. Genci në praktikën e tij kryesisht merret me krijimin e veprave dhe me trajtimin e mediumit të skulpturës, kurse në galeri për herë të parë ka ardhur me vepra të reja të cilat janë pikturë, mirëpo mendoj që është një gërshetim i praktikës së tij të mëparshme në të cilën shumë herë identifikohet si performancë objektesh, pasi që shumë prej punëve të tij janë të konceptuara rreth historisë e formave të objekteve të caktuara dhe lidhjes së tij emocionale që ka me to”.
Ato janë plot ngjyra, ngjajnë në hedhje të rastësishme të tyre. Disa prej tyre janë më të zymta, në disa sikur trajtohen pengesat e artit dhe se simbolikë për to janë ca letra me formate të vogla që duken si barrikada për depërtimin e artit aty.
Në kontrast me pikturat vijnë kornizat me dimensione të vogla që mbajnë thënie, dorëshkrime të autorit, shpesh të paqarta. Disa prej veprave krijojnë peizazhe abstrakte me nuancat e ngjyrave.
Në përgjithësi ekspozita duket poetike.
“Genci është një artist dhe poet ku shkrimi dhe praktika e tij është e dukshme edhe në këto vepra, duke filluar kështu nga titujt, të cilët edhe janë në hyrje të vendosura, pra në secilën prej veprave ka nga një shkrim që janë reflektim i tij mbi konceptit që ka dashur të sjellë. Genci është një artist ndërdisiplinor, i cili e sjell realitetin e tij personal, duke e ballafaquar atë me realitetin shoqëror, pra në praktikën e Gencit kemi shumë rituale shpirtërore”.
Artisti Genc Jakupi ka qenë duke u përgatitur për hapjen e ekspozitës deri pak momente para hapjes së saj të premten mbrëma. Ai nuk ka pranuar të flasë për media.
Kuratorja Halilaj ka thënë se vetë koncepti i ekspozitës është që autori të japë sa më pak shpjegime për punën në mënyrë që publiku ta interpretojë lirshëm.
“Për ekspozitë në galeri Genci ka ardhur me një koncept artistik për të cilin edhe i ka prodhuar veprat, të cilat ai i quan ‘alegori e pacaktuar’. E pavarësisht intervistës sime, koncepti i tij është që ai të jap sa më pak shpjegime në punë, në mënyrë që të lërë të hapur për vizitorët interpretimin dhe mënyrën se si këto vepra ndikojnë tek ta”.
Genc Kadriu është artist ndërdisiplinor, vepra e të cilit, sipas biografisë së tij, ndikohen shpesh nga marrëdhënia midis autobiografisë dhe presupozimeve socio-historike.
Ekspozita “Atelieja e piktorit të panjohur” qëndron e hapur në Galerinë Kombëtare të Kosovës deri më 12 nëntor. Ajo vjen pas ekspozitës “Nga e para” të artistes Lumturi Blloshmi, shenjat e së cilës – muret me ngjyra – u shkojnë për shtati veprave të artistit Kadriu.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.