Muzika si edukim përballë sfidave moderne
Konferenca e Muzikës në Prishtinë ka qenë adresë për shumë tema që ndërlidhen me zhanret muzikore. Ka eksploruar narrativat mbi kulturën e të dëgjuarit muzikë e ka gjurmuar nëpër zhvillimin e muzikës shqiptare. Opera e Kosovës ishte një dimension. Por ka shkuar përtej.
Për dy ditë në kryeqytet, ngjarja ka qenë mozaiku i krejt aspekteve që janë trajtuar nëpërmjet prezantimeve e diskutimeve, adresë për admiruesit e muzikës, pikë bashkimi për publikun me muzikantë e këngëtarë.
Seancat e bisedave kanë nisur me temën “Inside the Violin” që është zhvilluar ndërmjet Trëndelinë Bucollit dhe Visar Kuçit. Eksperiencat jashtë vendit, problemet dhe barrierat në skenën vendore, zhanret muzikore, ndikimi i kulturave në zhvillimin e atyre të reja, kanë qenë prej atyre që janë diskutuar.
Në sesionin e parë, Kuçi ka thënë se nuk ka eksperimentuar shumë në zhanrin e tij dhe se i ka qëndruar besnik zhanrit klasik.
Pos me Filharmoninë e Kosovës, ai luan edhe si solist në koncerte brenda e jashtë vendit. Si multi-instrumentist është shfaqur në skenë edhe në dimensione të tjera. Ka thënë se edhe aty zhanret nuk i përzien.
Derisa ka komentuar skenën muzikore në vend, koncert-mjeshtri i Filharmonisë së Kosovës ka thënë se aktualisht dominon muzika komerciale. E mbijetesën e muzikës klasike në vend e në botë e ka përkufizuar me arkivimin e saj.
Për kulturën e të dëgjuarit muzikë dhe sharmin e vinilëve kanë folur kantautorja Eda Zari dhe perkusionisti nga Maroku, Rhani Krija, i cili muzikën e ka vlerësuar edhe si shërim.
“Muzika për mua është shërim. Ky është qëllimi i muzikës: të të bëjë të harrosh problemet, të dëgjosh një qind për qind ndjenjat e tua, është proces shërimi, ky është perceptimi im për muzikën”.
Për Eda Zarin, lloji i muzikës që dëgjon është reflektim i edukimit mental. Sipas saj, jo patjetër një shoqëri duhet të ketë një kulturë në bazë të së cilës do të zhvillohej muzika, pasi ajo do të mund të ndikohej nga një sistem. Këtë e ka ilustruar me shembullin e krijimtarisë muzikore në kohën e sistemit komunist në Shqipëri.
“Unë kam lindur në Tiranë. I kam prekur vitet ’80 me koshiencë të plotë se çfarë së pari bën muzika, pasi vij nga një familje muzikore. Kënga, muzika, tingulli, arti apo ajo formë e kulturës ka qenë e kultivuar ende pa u lindur unë, e kisha në shtëpi, do thosha një luks për mua. Të mos harrojmë në cilën formë kjo shoqëri jetonte. Muzika në atë kohe ka qenë propagandë, edhe festivalet, në këtë rast Festivali i Këngës. Një lloj propagande për të treguar mënyrën se si në përmbajtje, qoftë në strukturat kompozitoriale do t’i qasej më shumë asaj që nuk ishte e lejuar të prekje harmoni të caktuara, që mund të ishte një ritëm i caktuar që vinte nga Perëndimi, nga vendet kapitaliste, revolucioniste”.
Në kuadër të programit të Konferencës është ngritur edhe pyetja se “Ku janë institucionet”, që ka qenë diskutimi për inaugurimin e institucionit të Operës së Kosovës.
Derisa ka folur për historinë e rrugëtimit të Operës dhe rëndësinë e saj për skenën muzikore, muzikologia Kryeziu-Breznica ka thënë se mosekzistenca e institucionit nuk e ka pezulluar krijimtarinë operistike.
“Opera është një formë shumë komplekse muzikore, natyrisht është forma më e madhe muzikore. Nuk do të thotë se mosekzistenca e institucionit penalizon krijimtarinë operistike, është zgjedhje e lirë e kompozitorëve, mirëpo njëra prej atyre përgjigjeve që më është dhënë është se numri i vogël i kësaj krijimtarie vjen si pasojë e mungesës së kushteve. Për këtë arsye, deri në një kohë të caktuar kanë qenë vetëm dy opera. Ka qenë ‘Goca e Kaçanikut’ dhe ‘Dasmë Arbëreshe’ e kompozitorit Rauf Dhomi”.
Profesoresha e pianos, Besa Luzha, e ka konsideruar institucionin e Operës, bashkë me atë të Filharmonisë së Kosovës, si kurorë të muzikës. Ajo ka vlerësuar se opera mbetet forma më e pëlqyer e publikut.
“Këtu ka ndikuar edhe krijimi i institucionit të parë të Operës së Kosovës që e ka tërhequr audiencën. Në Orkestër ka shumë ngjyra, shumë laroshi, dhe ajo është shumë atraktive për audiencën. Opera është edhe një hap më interesant pasi ka fjalën, ka kostumografi, ka balet, gjithçka dhe është shumë më e afërt me publikun”.
Njëra prej kryefjalëve të këtij paneli diskutues ka qenë hapja e Operës duke mos pasur shtëpinë e saj. Pos teatrit a një salle koncertale të paktën sa për të akomoduar këngëtarët e Orkestrën, dirigjenti Edon Ramadani ka thënë se problematike janë edhe hapësirat ku zhvillohen provat.
“Në aspektin organizativ duhet falënderuar Fakulteti dhe Filharmonia, sepse përndryshe përveç objektit, sallës që mungon dhe procesi për të arritur deri në koncert është jashtëzakonisht i vështirë, sepse as Fakulteti e Opera hiç e hiç, nuk ka një sallë qoftë edhe për zhvillimin e provave. Me mirëkuptimin e tyre jemi gjendur disi. Sidoqoftë do të vijë një kohë ku duhet të veprohet konkretisht, të paktën të mendohet për një sallë të provave para se të kalojnë në një sallë të koncerteve”.
Edicioni i sivjetmë i ngjarjes që vë muzikën në qendër është mbyllur me performancë nga perkusionisti maroken Rhani Krija.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.