Interpretimi i një pjese korale nga opera “Dasma Arbëreshe” e kompozitorit Rauf Dhomi ka qenë thirrja e Sindikatës së Filharmonisë së Kosovës për trajtim të barabartë në paga në protestën disaminutëshe para objektit të Ministrisë së Kulturës.
Për problemet e paralajmëruara qysh në muajin shkurt, nuk është bërë e ditur se është gjetur zgjidhje. Kur Ministria e Kulturës i kishte publikuar shifrat e pagave, rritje ka pasur vetëm në disa kategori.
Kryetari i Sindikatës së Filharmonisë së Kosovës, Shaban Behramaj, ka bërë të ditur se në takimin me ministrin e Kulturës, Hajrulla Çeku, sot paradite, nuk kanë marrë përgjigje në këtë çështje.
“Në takimin që është mbajtur sot nuk është se kemi dëgjuar diçka të re, thjesht sipas ministrit, kjo punë do të rregullohet, por ajo që na intereson ne është ta dimë se kur do të rregullohet, sepse janë shkelur disa afate ligjore deri më tash nga Ministria. Për ne është e pakuptimtë të vazhdojmë të presim më tutje. Ajo çfarë ne presim është një deklaratë publike se kur do të rregullohet e gjithë kjo dhe ne do të presim deri në përmirësimin e këtij gabimi”.
Punonjësit e Filharmonisë kërkojnë të rregullohet me urgjencë çështja e pagave.
“Ne lusim qoftë Ministrinë e Kulturës, qoftë Ministrinë e Punëve të Brendshme që ta marrin më me seriozitet këtë çështje dhe me urgjencë ta rregullojnë atë. Kemi pritur mjaft, gjithmonë me shpresë se kjo procedurë do të finalizohet, sepse edhe për ne si artistë, protesta ka një shije të pakëndshme”, shtoi tutje Behramaj.
Kryetari i Sindikatave të Bashkuara të Kosovës, Rrahman Jasharaj, ka thënë se anëtarët e Filharmonisë së Kosovës meritojnë paga dinjitoze dhe trajtim të barabartë.
“Ne sot kemi ardhur të solidarizohemi me ta si anëtarë tanë që janë me kërkesat e tyre të ligjshme. Ishte kjo një protestë shumë e veçantë, filloi me një repertor të tyre. Këta njerëz na përfaqësojnë kudo në botë dhe ne krenohemi me ta. Uroj që ministri Çeku dhe të tjerët të ulen të bisedojnë me ta dhe të realizojnë kërkesën e tyre që është shumë reale dhe shumë e drejtë, që të mos kemi dallime në paga për të njëjtën punë të kryer”.
Protestës disaminutëshe të Sindikatës së Filharmonisë së Kosovës nuk i është përgjigjur askush nga personeli i Ministrisë së Kulturës.
Për harmonizimin e krejt procesit fillimisht duhet hartim i rregulloreve. E afati i fundit për korrigjime të rasteve të paharmonizuara ishte dita e fundit e muajit shtator. Afati ishte shtyrë, por ende nuk ka zgjidhje për rastet e paharmonizuara.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.