Vijat melodike të muzikës tradicionale kanë magjepsur, por koncerti i ansamblit kombëtar i këngëve dhe valleve “Shota”, ka pasur edhe një tjetër qëllim: Ka kujtuar ish-anëtarin, klarinetistin Mentor Krasniqi, i cili vdiq nëntorin e kaluar. Pikërisht koncerti “Në vend të lotit” ka qenë homazh për të.
Vepra dhe kontributi i tij janë nderuar me këngët e vallet që ai i pëlqente e janë interpretuar edhe ato të dedikuara veçmas për klarinetistin e ndjerë. Jo me një minutë heshtje, por me një minutë duartrokitje janë nderuar vepra dhe kontributi i klarinetistit Krasniqi.
Instrumentet në këtë rast kanë marrë kontekst tradicional me orkestrën e “Shotës”.
Koncerti “Në vend të lotit” ka nisur me “Homazh” të muzikantit të ndjerë Shaqir Hoti, orkestruar nga Ylber Asllanaj. Pjesa me fyell në interpretim të Gent Hoxhës ka qenë tejet emocionuese, derisa është shoqëruar nga orkestra e Ansamblit.
Për instrumentistin Hoxha koncerti ka qenë me rëndësi të veçantë për ta dhe e kanë pasur të vështirë interpretimin për nga aspekti emocional, duke marrë parasysh se ka qenë dedikim për mikun e tyre, Mentor Krasniqi.
“Ai ka një kontribut të jashtëzakonshëm, sidomos në avancimin e instrumentit të fyellit. Nga ai kam mësuar shumë. Ka pasur kontribut të jashtëzakonshëm në avancimin në luajtje me tonalitete të ndryshme në këtë instrument, gjë që nuk ka qenë aq e pranishme”.
Orkestra ka interpretuar edhe “Valle me bilbil e orkestër” e “Valle orkestrale”, derisa pikë koreografike kanë sjellë trupa e valltarëve me “Valle me motive nga Librazhdi”.
Me elegancë shpërfaqen butësia e burrave dhe bukuria e çiltërsia e gruas. Lojë e veçantë tradicionale ka qenë edhe loja në tupan. Ndonëse është vazhdimisht në repertorin e ansamblit “Shota”, kishte pasur kohë që nuk ishte interpretuar. Sipas solistit kryesor Besnik Grajçevci, mesazhi brenda saj ka qenë biseda a kontakti me të vdekurit dhe me tokën.
“Edhe pse jo përvjetor jubilar, jemi munduar të bëjmë një koncert jo vetëm si traditë që është në përkujtimet dhe përvjetorët, por thjesht koncert pranveror që ‘Shota’ e ka në repertorin e saj zakonisht, t’i dedikohet kolegut tonë Mentor Krasniqi, i cili ka dhënë kontribut të jashtëzakonshëm. Ka qenë ndër shtyllat e veçanta të ansamblit ‘Shota’ në përbërje të orkestrës”.
Në përmbyllje të koncertit, këngëtari Riza Bytyçi ka interpretuar këngën “Vijnë vaporat”. Bytyçi është shprehur se i ka kujtimet e freskëta për mikun e tij Mentor Krasniqi, dhe se do ta kujtojnë gjatë.
“Ka qenë instrumentist me përvojë të gjatë, me të kam bashkëpunuar shumë edhe në shoqërinë kulturo-artistike ‘Ramiz Sadiku’ pastaj kemi punuar me ansamblin ‘Shota’ në koncerte e festivale të ndryshme. Me gjithë dëshirë kam marrë pjesë dhe jam i lumtur që isha pjesëmarrës i këtij koncerti kaq madhështor”.
Klarinetisti Mentor Krasniqi ka qenë anëtar i shoqërisë kulturo-artistike “Ramiz Sadiku” të Universitetit të Prishtinës qysh në vitet ‘80. Përkrah kontributit në muzikë, vazhdonte traditën familjare dhe ushtronte aktivitetin patriotik për çlirimin e atdheut, gjë për të cilën ai u mbajt në burgjet e okupatorit për më shumë se tre vjet. Vdiq vitin e kaluar, më 23 nëntor në moshën 62-vjeçare.
Drejtori artistik i ansamblit kombëtar të këngëve dhe valleve “Shota”, Ylber Asllanaj, e ka kujtuar si një prej njerëzve më të dashur që ka njohur e si mik të shkëlqyer por jo vetëm.
“Instrumentist i shkëlqyer, mik i shkëlqyer. Ikja e tij para kohe, ka vdekur në moshën 62-vjeçare, na ka prekur shumë. Ne si ansambël natyrisht një artisti si Mentori ia kemi ndier borxh këtë homazh”.
Koncerti “Në vend të lotit” ka qenë përmbledhje me melodi të bukura dhe të ndjeshme, duke sjellë emocione të forta te publiku. Ashtu siç luante dikur edhe vetë Mentor Krasniqi.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.