EXPRESS

“Intertitles” skicon thjeshtësinë në pritje të kuptimit

Loja e artistit në tablotë me dimensione të mëdha shkon përtej një thjeshtësie të zakonshme. Në një format që duket sikur shkumësi i bardhë, ka vizatuar e shkruar mbi dërrasë të zezë nëpër shkollat fillore a të mesme në Kosovë, Bekim Zeqiri ka shpërfaqur një botë që mbërthen vizitorin të futet brenda.

Pa shkëlqime, ngjyra të forta, e tablo që bien në sy për nga megalomania, Zeqiri jep skeletin. Ndërtimi i pjesëve të tjera i mbetet publikut.

E titulluar “Intertitles”, ekspozita e hapur në Galerinë Kombëtare të Kosovës të enjten mbrëma është e pazakontë. Me kuratore Carolyn London, veprat e paraqitura shpërfaqin botën komplekse të artistit. “Intertitles” si fjalë qe fort e pranishme në kohën e filmave pa zë, duke përmbledhur grupet e fjalëve që në ekran paraqiteshin për të dhënë shpjegime se çfarë po ngjante me karakteret. Por ato nuk ishin pjesë e skenës. Tablotë e Zeqirit janë edhe skica skenike, të kostumografisë apo skenar i vizatuar. Teatrin, po ashtu, e ka frymëzim.

Vetë artisi që ka studiuar në Akademinë e Arteve në Düsseldorf ka shpjeguar se piktura është një prej mediumeve më të përdoruara të njerëzimit.

Kuratorja Carolyn London ka thënë se bëhet fjalë për një lloj tensioni midis dialogut dhe pritshmërisë të atyre që i shohin punimet.

“Nuk mund të jesh pasiv para këtyre punimeve, duhet të mendosh pak, dhe kjo më pëlqen. Mendoj se të ftojnë të jesh më afër dhe të kalosh pak kohë”.

Si diçka të jashtëzakonshme për opinionin vendor e ka përshkruar ekspozitën piktorja e profesoresha universitare, Zake Prelvukaj. Ka thënë se bëhet fjalë për art inteligjent.

Përtej asocimit me dërrasat e zeza që përdoren për mësimdhënie, pikturat e tij dëshmojnë nivel përgatitjeje e studimi, duke bërë që veprat të shpërfaqin rrëfime të thjeshta e të ndërlikuara njëkohësisht.