Koncerti i parë simfonik i Filharmonisë së Kosovës për këtë vit solli para publikut në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë, kitaristin kosovar me famë botërore, Petrit Çeku.
Me premierën e koncertit për kitarë dhe orkestër të Kreshnik Aliçkajt filloi mbrëmja e së dielës.
Nuk janë të shpeshta rastet kur publiku ngrihet në këmbë duke duartrokitur me të filluar koncerti.
Kjo për Aliçkajn është një shenjë që vepra e tij u prit shumë mirë, sikurse edhe interpretimi i Çekut.
Hapësira që iu dha kitarës si pjesë e orkestrës ka bërë që të ndihet harmonia e përsosur dhe secila notë në vendin e vet.
Këtë e përjetoi çdo i pranishëm në mbrëmjen e së dielës.
"Ishte një ndjenjë shumë e mirë. Vepra ishte premierë, gjithashtu e falënderoj orkestrën, dirigjentin dhe kitaristin tashmë me famë botërore Petrit Çeku, i cili ka treguar gatishmëri dhe e kemi pasur një bashkëpunim shumë të mirë. Interpretimi ishte superior siç di vetë Petriti”.
“Pasi që premierat janë gjithmonë të vështira, është premierë edhe për instrumentistët edhe për dirigjentin, edhe për vetë kompozitorin, mendoj që vepra është realizuar shumë mirë. Përndryshe nuk ka qenë e lehtë që ta shkruaj në vepër të tillë për arsyen se edhe nëpër botë ka shumë pak vepra të shkruara për kitarë dhe orkestër simfonike, për shkak se kitara është një instrument mjaft i ndërlikuar për shkrim gjithashtu për shkak të forcës së tingullit që e ka”, deklaroi Aliçkaj.
Pas koncertit për kitarë dhe orkestër nga Aliçkaj, mbrëmja vazhdoi me “Koncertin e Arnjuezit” të Joakuin Rodrigos, po në interpretimin mjeshtëror të Çekut.
Dirigjenti izraelito-gjerman, Maayan Franco, i mahnitur nga mikpritja e publikut kosovar flet edhe për performancën bashkë me Çekun, të cilën e përshkruan si një ëndërr të kthyer në realitet.
“Publiku kosovar është aq mikpritës është e pabesueshme. Nuk merr çdoherë duartrokitje në këmbë që në fillim të performancës. Vetë koncerti filloi me duartrokitje disa minutëshe, kjo po që është e pazakontë. Kompozimi është një vepër mjaft interesante e shkruar së voni në 2019-tën. Në përmbajtje ka pak folklor, specifikisht muzikë folklorike kosovare brenda formave tradicionale të muzikës klasike. Çfarë më pëlqen për këtë kompozim është se i jep mjaft hapësirë kitarës që të marrë frymë. Pati shumë shpesh pjesë ku kitara kishte mundësi të frymojë brenda orkestrës e që ishte fantastike”.
“Nëse flasim për kitarën na duhet të flasim për Petritin i cili është me të vërtetë një gjeni. Ishte hera e parë që e takova atë, sigurisht që kam dëgjuar për të edhe më herët por të punoja me të ishte një ëndërr. Është një muzikant fantastik, një njeri i mrekullueshëm, fleksibil dhe i lehte për bashkëpunim” tha Maayan Franco.
Për 45 minutat e fundit të koncertit, orkestra e Filharmonisë nën dirigjimin e Francos solli para publikut simfoninë e nëntë të Atonin Dvorak “Nga Bota e Re” me po të cilin emër erdhi edhe i tërë koncerti.
Punën e palodhshme nuk e lë pa e përmendur edhe Baki Jashari, i cili përshkruan programin e pasur dhe interpretimin e jashtëzakonshëm të Çekut.
"Ky ishte koncerti i parë sivjet më serioz, edhe pse ne i patëm dy prezantime me orkestrën frymore të Filarmonisë dhe ky ishte koncerti i parë simfonik për vitin 2023. Ishte koncert mjaft i lodhshëm për shkak se në program patëm vepra të stileve të ndryshme. Vepra bashkëkohore dhe Rodrigo të realizuar mjeshtërisht nga kitaristi ynë me famë botërore, Petrit Çeku”, deklaroi Jashari.
Filharmonia e Kosovës e filloi vitin me një koncert të suksesshëm e shumë të vlerësuar nga publiku, me synimin që të vazhdoi kësisoj.