EXPRESS

Gala-koncerti për muzikantin, Ramadan Ramadani

Trembëdhjetë këngë nga opusi krijues i Ramadan Ramadanit kanë qenë pjesë e programit të gala-koncertit në Ferizaj dedikuar krijimtarisë së tij
 

Ka një përkufizim të prerë kur pyetet për muzikën. Ajo është gjithçka për të. Koncerti në Ferizaj, dedikuar krijimtarisë së tij, e ka kthyer frymën e “Akordeve të Kosovës”. “M’u duk sikur i dëgjova për herë të parë. Unë jetoj me këto këngë, i këndoj kudo që shkoj”, ka thënë Ramadani, i cili ka kontribut me peshë edhe në punën si dirigjent i koreve për fëmijë. Rreth 60 këngë korale për fëmijë dhe 18 popullore janë thesari që ai ia ka lënë muzikës shqipe. Trembëdhjetë këngë nga opusi krijues i Ramadan Ramadanit kanë qenë pjesë e programit të gala-koncertit në Ferizaj dedikuar krijimtarisë së tij, në gala-koncertin e 27 prillit në Ferizaj, i që transmetohet sonte, prej orës 21:00, në Kohavision

Ramadan Ramadani është një prej figurave me nam të muzikës në Ferizaj, aty ku u lind dhe nisi rrugëtimin në muzikë. Dëshira për melosin popullor e ka zanafillën kur qe anëtar i shoqërisë kulturore-artistike “Kastriotët”, por mësimet në këtë fushë i mori në Prishtinë e Sarajevë e kontributin muzikor e shpërndau kudo, madje edhe në Gjermani.

Si pensionist, tash 69-vjeçar, të mërkurën e 27 prillit, dy orë para koncertit, me rroba solemne e kravatë të kuqe, tërësisht modest futet në një prej sallave ku muzikantët i ka mbledhur pikërisht krijimtaria e tij ndër vite. Hyn e del pa zhurmë, disa herë. Kur futet në sallë nuk bën asnjë koment veçse mallëngjehet. Emocionet qysh para koncertit dirigjentin e kompozitorin ferizajas do ta bëjnë të endet herë jashtë e herë brenda sallës, ku muzikantët janë gati për t’i shfletuar në skenë kapitujt e tij muzikorë që përthekojnë periudha të ndryshme krijuese të dirigjentit ferizajas Ramadan Ramadani. Të mërkurën mbrëma Trupa Artistike e Ferizajt ka mbajtur një gala-koncert në kuadër të “Gramon Fest 2022”. Në lojën e udhëhequr nga dirigjenti Valton Beqiri, këngëtarët e instrumentistët ferizajas u janë kthyer partiturave e këngëve që janë dëgjuar që nga viti 1983, atëherë kur këngët e kompozitorit Ramadani këndoheshin në “Akordet e Kosovës”. Këngë që himnizojnë jetën e dashurinë janë kënduar për më shumë se një orë në “Berisha Palace”, në Nikadin të Ferizajt. Pamje të qytetit të Ferizajt janë shfaqur në sfond të skenës ku janë kënduar veprat e kompozitorit që në opusin e tij krijues ka 60 këngë korale për fëmijë dhe 18 këngë popullore. Kur merr ndonjë përshtypje për veprat e tij, Ramadani, që jeton në Gjermani, nuk i përdor fjalët si përgjigje. I duhet më shumë se një minutë ta marrë veten. Përnjëherë i mbushen sytë me lot.