EXPRESS

“Eja n’Sharr” mes aventurave dhe bukurisë së maleve të Sharrit

“Guri i zi” është destinacioni i një festivali që këmbët po i ngul në bjeshkët e Maleve të Sharrit. Një pjesë të misionit e ka përmbushur ende pa arritur atje.

Rruga që të çon deri atje gjarpërohet në kthesa të shumta e secila prej tyre është një zbulim më tej i kësaj zone. Shiu veç ia shton freskinë. Por jo dhe organizatorëve që e kanë planifikuar festivalin tash e disa muaj.

Pjesëmarrësit e parë nuk ndihen të gatshëm të vendosen në tenda. Andaj njëri pas tjetrit ua mësyjnë bujtinave.

Kur shiu pushon, organizatorëve u kthehet buzëqeshja, e riorganizimi për t’i pritur ata që duan të flenë në natyrë rinis prej zeros.

“Jemi munduar që t’i akomdojmë të gjithë deri më tani. Deri në këto momente përveç shiut që na prishi pak është rregulluar gjithçka, pasi ka dalë dielli dhe pritet të vazhdojmë me aktivitetet e planifikuara”, ka treguar Drenusha Canolli nga “Eja n’Sharr Fest”.

Me një diskutim që i bashkoi pjesëmarrësit në rreth, organizatorët sinjalizuan hapjen e programit. Diskutimit për promovimin e turizmit nëpërmjet kampanjave iu bashkua edhe ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla.

Shiu e ka ndërruar agjendën teksa nis e errësohet.

Derisa disa e kanë anuluar pjesëmarrjen, të tjerët shijuan mbrëmjen pranë zjarrit e një grup tjetër po bëheshin gati për një sfidë të re. Një ecje në mal pas mesnate është përvoja më e re që u ka dhënë pjesëmarrësve festivali.

“Është një aventurë pak më ndryshe. Edhe pse nuk shihet shumë, shihen vetëm dritat e fshatrave dhe yjet shihen më bukur”, ka thënë Niti Gashi nga Shoqata e Bjeshkatarëve “Sharri”.

Pjesëmarrësit zgjohen me shpresën për një ditë me më shumë aktivitete ndonëse nën qiellin me re. Për organizatorët nga “SuperXplorers”, çdo sfidë nga natyra është e pranueshme.

“Ideja bazë ka qenë që njerëzit t’i sjellim në një destinacion i cili nuk është shumë i njohur dhe nuk ka shumë mundësi të akomodimit dhe t’i njohim me një vend ku kalojnë shtigjet e çiklizmit, ku mund të bëhet kamp dhe mund të bëhet ecje në disa prej majave më të mëdha të Sharrit”, është shprehur tutje Hoxha.

Visar Kabashi nga Klubi Alpin “Podguri” i është bashkuar festivalit për një përvojë tjetër të paharrueshme me automjete malore.

“Planifikojmë të shkojmë mbi fshatin Restelicë ku është një pjesë e bjeshkës me livadhe. Është më e madhja sa i përket kullosave dhe livadheve, ne do të ngjitemi në një pjesë ku do të ketë adrenalinë për pjesëmarrësit që do të vijnë me ne”, ka thënë Kabashi.

Disa të tjerë kanë zgjedhur që përmes çiklizmit t’i shijojnë bukuritë e maleve të Sharrit nga 2500 metra lartësi e disa të tjerë ditën e dytë do ta kalojnë në një shëtitje nëpër liqene.

Edhe këtu sfidohen nga shiu, por nuk dorëzohen.

Pas disa minutash qëndrimi e diskutimesh kur edhe shiu pushon, grupi i afrohet Liqenit të Vërmicës prej nga bëhet gati për aventurën e re. Së bashku nëpër kajakë që i japin ngjyrë liqenit, marrin rrugë për në Dobrushë.

“Aktiviteti i kajakut është i përditshëm për ne, çfarë e ka bërë më sfiduese kësaj here është se ky është në mesin e 15 aktiviteteve në “Eja n’Sharr Fest”. Kur erdhëm këtu m’u duk se i gjithë stresi mbaroi”, ka thënë Arian Krasniqi, bashkorganizator në festivalin “Eja n’Sharr Fest”.

Mes aventurave të shumta e aktiviteteve në kushte jo të zakonshme, organizatorët dhe pjesëmarrësit përmbyllën edicionin i cili qysh në titull përsërit thirrjen për t’iu bashkuar edhe në edicionin e ardhshëm.