EXPRESS

“South Outdoor Festival”, gati për edicionin e katërt

Java e parë e shatorit pritet të jetë përplot aventura në jugun e Shqipërisë.

Festivali i njohur “South Outdoor Festival” po rikthehet për të katërtin vit në Borsh të Himarës. Mungesa e organizimit vitin e kaluar ka bërë që gjithë energjinë ta akumulojnë për ta bërë sa më dinamik këtë vit të festivalit.

Ditët pritet të jenë të mbushura me shumë aktivitete sportive e mbrëmjet me muzikë të zgjedhur. Festivali ka për qëllim që përveç detit turistët t’i njoftojë edhe me asetet turistike dhe tradicionale të jugut të Shqipërisë. Aty janë të përfshira aktivitete të ajrit, ujore, kulturore e kulinare.

Lendi Hysi, i njohur nga West Side Family, që është ambasador i këtij festivali, tha se turistëve po u mundësohet të eksplorojnë shumë gjëra të reja nga kjo zonë.

Për tri net muzikore organizatorët janë kujdesur që në skenën në ambient të hapur të sjellin emra të njohur të muzikantëve. Ata kanë planifikuar muzikë gjithëpërfshirëse që u përshtat të gjithave grupmoshave.

Festivali i aventurës dhe muzikës do të mbahet nga 6 deri më 9 shtator në Borsh të Himarës.