EXPRESS

“N’shpi”, ekspozita e frymëzimeve pandemike

Syri i saj ishte vëzhguesi, mendja riprodhuesi i pamjes. Gjithçka çfarë kishte parë nga dritarja gjatë kohës së izolimit pandemik, e kishte shndërruar në motiv të pikturës së saj.

Mundin artistik prej një viti e gjysmë, Zana Ramadani e kurorëzoi me ekspozitën “N’shpi” në Tillt Radio Boho në Prishtinë.

“Në krejt këto punimet e mia shihet një gjendje momentale që e kam pasur, ku krejt çka kam mundur ta vërej e shoh, ka qenë prej dritares. Prej gjërave më të vogla që i kemi përreth e nuk i shohim (jam frymëzuar) dhe tani mund të shihen lule, shtëpi të vogla, lagje, kudo që jam kthyer. Krejt këto jam munduar t’i shpreh në mënyrë më pozitive”, ka thwnw Ramadani.

Mbi 45 punime të grafistes e skenografes janë vendosur në pëlhurë e kornizë, teksa pavarësisht që janë frymëzime të një kohe të vështirë, sërish bartin tone pozitive.

“Gjithmonë kam punuar në stile abstrakte, por kjo nga koha e pandemisë më ktheu në realizëm, sipas gjendjes që e kam pasur dhe kjo më motivoi të punoj më shumë për gjërat e mira të cilat i kemi afër vetes, e që po duhet të ndodh diçka e t’ua shohim vlerat e tyre. Aty ka filluar dashuria për shtëpinë, lulet”, ka thwnw ajo. “Secili e kishte atë zymtësinë e vet, andaj jam munduar që vetes së pari t’i jap gëzim, t’i ndriçoj ngjyrat, sado kudo ngjyra më e ngrohtë ta jep një shpresë. Prej kësaj jam munduar që kushdo që i sheh t’ia japë një pozitivitet”.

Metodat e punës, njësoj si veprat, i ka komplekse. Por, natyraliteti dhe rrjedhshmëria e punës është ajo që i veçon.

“Punoj me val, akril, tush, çkado që e kam në atelie, afër në tavolinë, e shfrytëzoj. Në secilin punim ka mediume të kombinuara”, shtoi ajo.

Ekspozita personale e Zana Ramadanit, “N’shpi” mbetet një thirrje artistike për falënderim për gjërat që i kemi pranë.