EXPRESS

Në kujtim të zërit të veçantë të muzikës popullore

49 vjet me mikrofon në dorë, duke i kënduar këngët e bukura shqipe, e bënë që të fitojë respektin e të gjithëve. Kjo u dallua edhe në lamtumirën e fundit për Ismet Bogujevcin, doajenin e melodive popullore.

Zëri i tij hyri në historinë artistike të vendit përmes këngëve si “Martesa jonë”, “O moj bukuroshe”, “Ke selvite e namazgjasë”, “Tefik Çanga”, “Bajram Curr o Bajram Curr” e shumë të tjera.

Me nderime dhe buqeta lulesh për Bogujevcin filluan homazhet me parakalimin e veturës së funeralit nga sheshi “Zahir Pajaziti” drejt Teatrit Kombëtar, shoqëruar nga pjesëtarët e Ansamblit të këngëve dhe valleve “Shota”.

“Për mua ka qenë beja Ismet dhe jam rritë me bejën Ismet. Por, përveç vendit që e ka pasur në familje, ka qenë një person që ka lënë gjurmë te secili. Është një person që jo vetëm se i ka dhënë kulturës së vendit, por i ka dhënë kulturës dhe artit mbarëkombëtar. Ka qenë pjesë e kontributit tonë si vend karshi pjesës kombëtare”, ka thënë Saranda Bogujevci, familjare e tij.

Me sharmin e tij artistik, Ismet Bogujevci arriti të bëhet këngëtari i popullit.

Kontributi i Bogujevcit është gravuar edhe në mendjen e drejtuesve institucionalë.

“Qysh si fëmijë teksa ndiqnim programin e Vitit të Ri me një mosdurim të gëzueshëm e prisnim këngën e Ismet Bogujevcit dhe të Riza Bytyqit. Në vegjëli se çfarë është martesa e mësuam prej prindërve, por edhe prej këngës ‘Martesa Jonë’ të Ismet Bogujevcit. Edhe sot e kësaj dite kur e dëgjoj fjalën ‘Kaçanik’ më ushtojnë veshët për shkak të vargut ‘Ushton gryka e Kaçanikut’, të kënduar nga Ismet Bogujevci. E për Tefik Qangën, shumë kohë para se ta marrë vesh se është emri i një fabrike druri në Ferizaj dhe një partizani të Luftës së Dytë Botërore, kam ditur ta këndoj nga pak duke e imituar Ismet Bogujevcin”, ka thënë kryeministri Albin Kurti.

“Zotri Bogujevci ka qenë shumë i veçantë për shumë arsye, por kryesorja ka qenë modestia e tij. Një muzikant, artist i jashtëzakonshëm, por po aq modest i cili tërë veprimtarinë e tij artistike ia dedikoi kombit, vendit, popullit dhe për asnjë moment nuk e komercializoi artin që e krijoi me shumë mund e zell”, ka deklaruar ministri Hajrulla Çeku..

Në anën tjetër, në ditët e fundit të jetës së tij, Ismet Bogujevci po përgatitej të ishte në skenë në koncertin kushtuar Nexhmije Pagarushës.

“Sa ishte gjallë bashkërisht me disa miq të këngëtarit të madh, Ismet Bogujevci, një ndër ta edhe Afrim Muçiqi, patëm planifikuar që gjatë kësaj vere që ta bëjmë një organizim të veçantë për këtë ikonë të muzikës shqiptare dhe të ndahet një shpërblim sa ishte gjallë”, është shprehur kryetari i Podujevës, Shpejtim Bulliqi.

Ismet Bogujevci, përveç në skenat muzikore, ka shkëlqyer edhe në teatër, duke qenë i angazhuar fillimisht në Teatrin e Podujevës, e pastaj edhe me shoqërinë “Ramiz Sadiku” në Prishtinë.

Ai ka qenë pjesë e ansamblit “Shota”, si solist dhe ushtrues detyre i drejtorit, teksa ky institucion e ka nderuar me çmimin “Doajen i Ansamblit”. Ritmi i zërit të tij e ka bërë të fitojë çmime, teksa ai do të mbetet i paharrueshëm për artin dhe kulturën shqiptare.