EXPRESS

Pika e vrojtimit - destinacioni i ri turistik në Prizren

Autoritetet komunale të Prizrenit, të hënën, kanë prezantuar projektin e Pikës së Vrojtimit në afërsi të fshatit Jabllanicë. Sipas tyre, ky projekt do t’i shërbejë zhvillimit të turizmit, përkatësisht krijimit të një destinacioni të ri turistik në natyrë, ku ofrohet pamja panoramike e Prizrenit dhe rrethit.

“Është një pamje e bukur e Prizrenit dhe me dylbi qytetarët mund të shohin më në detaje pamjet e ndryshme. Është njëra nga projektet, të cilat i ka Komuna e Prizrenit lidhur me zhvillimin e turizmit, që të krijojmë sa më shumë pika, destinime turistike, sidomos në natyrë, duke marrë parasysh zhvillimet e fundit lidhur me pandeminë ku faktikisht tani turizmi më i preferuar është ai malor ose larg njerëzve”, ka thënë kryetari i Prizrenit, Mytaher Haskuka.

Krahas vendosjes së dylbisë, është rregulluar edhe hapësira përcjellëse. Sipas Haskukës, gjatë fundjavës është parë interesim i shtuar i qytetarëve për vrojtim nga kjo pikë.

Ndërsa drejtoresha e Turizmit dhe Zhvillimit Ekonomik, Sevil Liman-Kazaz, ka bërë të ditur se ky vend ka qenë i pashfrytëzuar më parë.

“Kur kemi vërejtur se vizitorët dhe qytetarët kanë ndaluar për të bërë fotografi në këtë vend, kemi arritur që ta realizojmë këtë projekt. Është projekt i vetëm në Kosovë, një destinacion turistik që mundeni me pa qytetin më afër”, ka thënë Liman-Kazaz.

Image

Sipas saj, ky vend mund të vizitohet edhe nga çiftet e sapomartuara për fotografi panoramike në këtë hapësirë.

Njëherësh ka kërkuar nga qytetarët që ta mbrojnë këtë vend, si dhe hapësirat publike në përgjithësi, pasi ato janë realizuar me fonde publike.

Edhe Haskuka ka bërë thirrje për mbrojtjen e mjedisit, sepse mbeturinat po e dëmtojnë zhvillimin e turizmit.

“Po shpresoj që ti ruajmë këto ambiente që po krijohen. Se më me rëndësi, edhe duke ardhur këtu, po shohim gjithkah mbeturina. Me të vërtetë është e papranueshme ngase 98 për qind të amvisërive janë brenda shërbimit për mbledhjen e mbeturinave. Nuk ka asnjë fshat që nuk është i kyçur në projektin e Komunës për mbledhjen e mbeturinave. Prandaj krijimi i këtyre deponive ilegale nuk po e dëmton vetëm imazhin e Prizrenit, por po i dëmton vet fshatarët ose vendet ku ne po shpresojmë që do ta zhvillojmë turizmin, se me të vërtetë të dalësh në natyrë dhe të ballafaqohesh me mbeturina nuk është diçka e mirë”, ka shtuar i pari i Prizrenit, Haskuka.

Komuna e Prizrenit nga buxheti i saj ka investuar rreth 9 mijë euro për krijimin e kësaj pike të vrojtimit.