Koha është shkrirë brenda rreshtave, duke bërë bashkë tri copëza të dhimbjes me një emër, Kosovë.
Binak Kelmendi ka takuar lapsin me letrën, duke u bërë tok me përjetimet individuale e kolektive. Periudhën e paraluftës, të luftës dhe të pasluftës i ka “strehuar” në veprën e tij “Dritat e luftës”.
“Ideja më erdhi pikërisht nga fati i popullit tim e që ishte edhe fati im, largimi i njerëzve nga puna, përndjekja, pushtimi, lufta, përdhunimi e të gjitha këto riktheheshin në mendjen time, e unë i bartja në letër, shkruaja, fshija shtoja rishkruaja dhe ja doli siç doli”, tha Kelmendi.
E përbërë prej 20 tregimesh, këtë vepër Kelmendi e cilëson si vazhdimësi të dy veprave të mëhershme.
Ndërkaq “Dritat e luftës” i ngjan një enigme, në të cilën përmes paraqitjes artistike të tregimeve shpaloset tabloja historike e vendit.
“Njëri nga personazhet i tregimit i cili e hap librin është me titullin ‘Njëqind vjet bashkë’, e ka emrin Halil, është emri i vëllait tim i cili është vrarë nga serbët. E njëqind vjet para tij është vrarë edhe gjyshi i babait tonë, edhe ai e ka pasur emrin Halil. Dytë vriten nga serbët dhe për lirinë e Kosovës”, shtoi ai.
Si kategori e luftës, që në shifër është më e larta, Binaku ka dedikime edhe për të mbijetuarit e dhunës seksuale dhe për fatin e tyre.
“Është një tregim ‘Foshnja pa emër’, ku Zoja është kryepersonazhi, e cila ka lindur një fëmijë pas përdhunimit, e cila ka gjetur një strehim fizik në një kishë në Perëndim, e që çdo ditë përballet me vuajtjet, problemet që i shkakton një murgeshë duke i lutur që t’i lë emër fëmijës, e ajo nuk dëshiron sepse thotë se ai fëmijë nuk është i imi”, u shpreh Kelmendi.
Emërtimi i kësaj vepre ka lindur pikërisht nga tregimi që është brenda librit, teksa në kopertinë shfaqet, siç e quan Kelmendi, një sirenë paralajmëruese për luftën.
“Një fëmijë të cilit s’i kam vënë emër, i dëgjon të rritur teksa flasin gjithë kohën për luftën, mirë dhe keq, lufta shkatërron, çliron, sjell lirinë, sjell tragjedinë, ai i dëgjon të gjitha këto dhe interesohet. Gjatë interesimit shpërthen një bombë atje diku në fshatin tim, ai e quan drita, babai i thotë kjo është ‘Dritat e luftës’”, shtoi ai.
Me 3 tregime të paraluftës, 10 të luftës dhe 7 të pasluftës, Kelmendi ka përmbledhur rrëfimin e vetes dhe të tjerëve brenda fletëve të librit.