EXPRESS

Rrugëtimi i filmit “Vulë”

Filmi “Vulë” me skenar e regji të Valmir Tertinit, po vazhdon ta vulosë suksesin në skenën ndërkombëtare. Ky projekt filmik së fundi u shpërblye me çmimin për regjinë më të mirë në “Lake City International Film Festival”.

Çmimi në festivalin që mbahet në Delhi e çon në tetë numrin e trofeve që deri më tani ka grumbulluar filmi.

Regjisori Valmir Tertini flet për rrugëtimin e filmit “Vulë” deri më tani dhe planet për pjesëmarrje në festivale tjera.

“Çmimi i tetë për ‘Vulë’ ishte në edicionin e tetë të festivalit ‘Lake City International Film Festival’ ku u nominuam për dy kategori: për aktorin dhe regjinë më të mirë dhe morëm këtë të fundit”, ka thënë Tertini.

“Vulë” shjellon historinë e Viktorias, një punonjëse e papërgjegjshme në Ambasadën Gjermane në Prishtinë. Nëpërmjet historisë së saj preket tema e liberalizimit të vizave.

“Fokusi i filmit është më shumë te individi, pra te Viktoria e cila është e papërgjegjshme dhe nuk merret shumë me punën që i takon, pra me dhënien e vizave por e zhvillon një jetë tjetër në qytetin e Prishtinës”, ka shpejguar ai.

Sipas tij, kjo temë po pranohet mirë nga audienca e festivaleve ndërkombëtare.

“Festivali i radhës është ‘Everest Film Festival’ që ka qenë i planifikuar për 8 dhe 9 Janar online, por tash po përgatiten që të mbahet fizikisht dhe është shtyrë pak por ky është i radhës për filmin tonë”, ka thënë ai.

Tertini aktualisht është në prag të finalizimit të dokumentarit për Bekim Fehmiun.

“Kemi përfunduar xhirimet në Beograd, Prishtinë, Tiranë e Sarajevë dhe për shkak të pandemisë i ndaluam. Na ka mbetur të xhirojmë në Itali, Francë dhe ShBA që ta përmbyllim dokumentarin e gjatë për Bekim Fehmiun”, ka thënë Tertini.

Ndërkohë, kasta e aktorëve të filmit “Vulë” përfshin emra të njohur nga Shqipëria, Kosova e Maqedonia.