EXPRESS

“Pusho shqip” për zhvillimin e turizmit mes Kosovës dhe Shqipërisë

“Pusho Shqip” është slogani i sezonit turistik të këtij viti. “Deti dhe malet janë të çdo shqiptari, t’i shndërrojmë në destinacion në rajon”, është thirrja për vazhdimin e turizmit mes Kosovës e Shqipërisë.

Megjithëse një vit i vështirë për turizmin për shkak të pandemisë, shqiptarët e Kosovës edhe këtë vit patën cak Shqipërinë për t’i kaluar pushimet.

Në shenjë mirënjohjeje, Ministria e Turizmit e Shqipërisë organizoi në Prishtinë eventin “pusho shqip”, me pjesëmarrjen e agjencive turistike të të dyja vendeve.

Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi, ka vlerësuar kontributin e lartë të shqiptarëve nga Kosova që kanë dhënë për zhvillimin e turizmit në Shqipëri.

Në ceremoninë “Faleminderit Kosovë”, të mbajtur në Prishtinë, Klosi ka thënë se kur kishin nevojë për turizmin shqiptarët e Kosovës ishin aty.

Përfaqësuesit e turizmit nga Kosova dhe Shqipëria nga Brodi i Dragashit kanë hapur sezonin turistik vjeshtë-dimër, duke thënë se turet me alpinistë do të vazhdojnë.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Tahiri, tha se afërsia mes Kosovës e Shqipërisë është dëshmuar pikërisht në këtë kohë.

Nga 575.5 mijë vizitorë të huaj sa pati Shqipëria gjatë pandemisë, pjesa më e madhe, rreth 356 mijë ishin kosovarë.