Video

Qeveria premton 50 çerdhe të reja, ekspertët e konsiderojnë politikë të nevojshme

50 çerdhe të reja i ka premtuar Qeveria, nëse projektligji për buxhetin kalon në Kuvend, ashtu siç është aktualisht. Ekspertët thonë se një politikë e tillë e ndihmon mirëqenien e fëmijëve dhe të prindërve vetushqyes. E Avokati i Popullit në Ditën Universale të Fëmijëve ka treguar se Qeveria ende nuk i ka përmbushur obligimet me dokumentet që duhet t’i miratojë.

Ndërtimin e çerdheve të reja e ka paraparë Qeveria për vitin 2022 në projektligjin për buxhet.

Kështu deklaroi kryeministri Albin Kurti, si kryesues i komitetit ndërministror për mbrojtje të fëmijëve, në Ditën Universale të Fëmijëve.
"Prioritet i qeverisjes sonë është edukimi i hershëm, andaj me projektligjin për buxhetin e vitit 2022, i cili u miratua në Qeveri javë më parë, do të fillojë ndërtimi i 50 çerdheve që fëmijët ta kenë kujdesin e duhur", tha kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Si politikë të nevojshme e që i fuqizon prindërit vetushqyes e konsideron këtë Vebi Mujku, udhëheqës i Qendrës për Punë Sociale në Prishtinë.

"Hapja e çerdheve e cila është premtuar nga kryeministri dhe realizimi i këtij projekti apo hapja e këtyre çerdheve ne do të na ndihmojë jashtëzakonisht shumë sepse shumica e rasteve përfundojnë me shkurorëzim dhe në rastet kur përfundojnë në shkurorëzim shumica e rasteve besimi i fëmijëve bëhet te nëna dhe ato nëna apo ata prindër vetëushqyes hasin në vështirësi për akomodimin e fëmijëve në mungesë të çerdheve dhe shumë herë edhe ato privohen nga e drejta për punë.
Dhuna në të gjitha dimensionet e saj vazhdon të jetë shqetësuese, ku në Policinë e Kosovës janë raportuar 75 raste që lidhen me keqtrajtim apo braktisje të fëmijëve. Edhe më shumë sesa kaq ka raste të raportuara në Qendrën për Punë Sociale në Prishtinë. Ajo që është për ne shumë më shqetësuese fëmijët të cilët janë dëshmitarë apo viktimë e dhunës në familje brenda familjes e cila ndodh… Kemi raste të shumta dhe vetëm gjatë këtij viti kemi diku vetëm gjatë këtij viti kemi diku 280 fëmijë të përfshirë në 177 raste të dhunës në familje që kanë ndodhur", tha Vebi Mujku, drejtor i Qendrës për Punë Sociale në Prishtinë.

Ndërkohë, Avokati i Popullit derisa ka folur para fëmijëve për angazhimin e institucionit, e ka përmendur faktin se Qeveria ende nuk i ka nxjerrë të gjitha aktet nënligjore që lidhen me Ligjin për Mbrojtjen e Fëmijëve.

"Ne veç kemi filluar t’i japim ato rekomandimet, ato që po them, punë qeverisë dhe kemi dalë me një rekomandim të tillë dhe i kemi thënë që duhet t’i nxjerrë të gjitha aktet nënligjore", ka thënë Avokati i Popullit, Naim Qelaj. 

Në një përgjigje të Qeverisë për KOHËN thuhet se për 11 akte nënligjore janë gati draftet, një është në fazë fillestare, ndërsa për dy prej tyre nuk ka filluar fare draftimi. Si rrjedhojë e ligjit për Mbrojtjen e fëmijëve, Qeveria deri më tani ka miratuar vetëm një udhëzim administrativ për Zbatimin e Drejtësisë Mike ndaj Fëmijës në Procedurën Penale, Civile dhe Administrative. Të gjitha këto udhëzime si nga qeveria e nivele të tjera të qeverisjes është dashur të përdundojnë deri në muajin korrik të këtij viti.