Lajme

Ekspedita e Kosovës për në Everest kalon me sukses aklimatizimin në C3 – dita 43

Anëtarët e ekspeditës së KAP-it, Nazmi Hasanramaj dhe Arineta Mula, kanë kryer me sukses ngjitjen e dytë në kampin C3 (Muri Lhotse në 7162 metra lartësi mbidetare).

Me këtë ngjitje përfundoi edhe faza e dytë e aklimatizimit, të cilën alpinistët e kanë kaluar pa probleme.

Sipas planit, atje kanë qëndruar rreth gjysmë ore në lartësinë prej 7200 metrash, dhe janë kthyer gradualisht në kampet 2 e 1 (C2 e C1).

Që sonte janë në Kampin Bazë, ku do të qëndrojnë deri në kohën kur do të vendoset sulmi i majës së Everestit.

Pavarësisht se ende nuk dihet data e saktë e nisjes për në majën e botës, alpinistët kosovarë do të vazhdojnë me përgatitjet psiko-fizike në Kampin Bazë. Ndërkohë ekipet e tjera ndërkombëtare janë transportuar me helikopter për në kryeqytetin e Nepalit, Kathmandu, për t’u rehabilituar dhe për t’u qetësuar pas sulmit në C3. Në kushtet e jetës urbane, ndërkombëtarët do të presin kohën kur duhet synuar Everestin, dhe do të kthehen në Kampin Bazë sërish me helikopter.

Një muaj e gjysmë pas nisjes nga Prishtina, Ekspedita e Kosovës është ende në pritje të konfirmimit nëse Presidenca, Ministria e Jashtme dhe Komuna e Prishtinës do t’i ndajnë mjetet e premtuara për këtë ndërmarrje. Ministria e Kulturës e Sportit tashmë ka bërë me dije se nuk do të ndajë më shumë mjete sesa që i janë transferuar Federatës së Bjeshkatarisë.

Sidoqoftë, Mula e Hasanramaj vazhdojnë te jenë të motivuar dhe janë shumë mirë me shëndet. Janë të vetëdijshëm se tani kanë hyrë në fazën finale të pushtimit të Everestit, i cili megjithatë mund të mos ndodhë para datës 25 maj.

Kjo për shkak të disa arsyeve: sepse litarët ende nuk janë vendosur në Hillary Step (8790 metra lartësi mbidetare) – masivi shkëmbor që çon drejt majës; sepse alpinistët ende nuk kanë pushuar mjaft pas aklimatizimit në C3; ngase kushtet klimatike, sado të përmirësuara krahasuar me fillimin e ekspeditës, mund të ndryshojnë; dhe ngase ende nuk dihet se sa alpinistë do të mundë ta synonin Everestin njëkohësisht, gjë që do të mundë ta ngadalësonte ritmin.

{gallery}