Lajme

Alpinistët, në pritje të mjeteve të premtuara

Dy alpinistët kosovarë, Nazmi Hasanramaj dhe Arineta Mula, po bëjnë përgatitjet finale për ngjitjen e metrave të fundit të majës më të lartë në botë, Everest.

Dyshja e klubit alpin “Prishtina”, ka nisur fazën e dytë të aklimatizimit, që nënkupton ngjitjen në kampin C3 në 7.162 metra lartësi mbidetare dhe më pas zbritjen në kampet C2 dhe C1.

Ngjitja po bëhet pa oksigjen, për të cilin ata nuk kanë pasur nevojë deri më tash, madje as në fazën e parë të aklimatizimit, shkruan sot Koha Ditore.

Dy alpinistët e parë nga Kosova që kanë nisur misionin për pushtimin e majës më të lartë në botë, po ecin sigurt dhe furishëm shkëmbinjve e akullnajave të Everestit, ndonëse nisja e tyre nuk ishte e lehtë - u përcoll me goxha telashe. E telashet nuk kanë marrë fund ende.

Ata u nisën me paketën më të lirë, që nënkupton ushqim më dobët, pajisje të dorës së dytë dhe më pak siguri.

Dyzetë mijë eurot e ndara nga Ministria e Kulturës, e Rinisë dhe e Sportit, pesë mijë nga Kuvendi i Kosovës, i cili ua ka mbuluar edhe biletat, dhe pak nga sponsorët, heqin vetëm gjysmën e shpenzimeve të tyre në Nepal. Para nisjes ata patën marrë premtime për mjete shtesë nga institucionet e tjera të Kosovës.

Presidenca e Kosovës, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Komuna e Prishtinës u kishin premtuar përkrahje financiare para nisjes, por mjetet ende nuk kanë dalë në llogarinë e alpinistëve...(Më gjerësisht mund të lexoni sot në Koha Ditore).

Gazetën Koha Ditore mund ta lexoni edhe online. Këtu mund të gjeni sqarimin se si mund të abonoheni.