Përfaqësuesja e Spanjës nga shumë tifozë po vlerësohet favoritja kryesore për ta fituar Evropianin “Gjermania 2024”.
Por mesfushori spanjoll, Mikel Oyarzabal, të martën është shprehur se opinionet e tifozëve nuk ndikojnë te futbollistët. Ai ka theksuar se janë të përqendruar për ndeshjen çerekfinale ndaj Gjermanisë.
“Natyrisht, ju nuk mund t’i ndalni mesazhet që vijnë. Por ne po përpiqemi të qëndrojmë indiferent. Atmosfera nuk do të mund të ishte më mirë, jemi të qetë dhe duhet të përgatitemi sa më mirë për të premten. Tani thonë se ne jemi favoritë, por tre apo katër javë më parë askush nuk e thoshte këtë. Ne e dimë se jemi të aftë të garojmë kundër kujtdo. Jo vetëm tani kur njerëzit besojnë se jemi pak a shumë favoritë. Jemi duke punuar shumë”, u shpreh Oyarzabal.
27-vjeçari në katër ndeshje në “Euro 2024” ka bërë një asistim.
Spanja të premten do të përballet me Gjermaninë në çerekfinale.