Euro 2024

Minutat shtesë, drama e fazës së grupeve të “Euro 2024”

Cenk Tosun

Foto: Associated Press

Cenk Tosun shënoi gol për Turqinë në fitoren kundër Republikës së Çekisë në Grupin F të Kampionatit Evropian të mërkurën mbrëma dhe ia siguroi shtetit të tij vendin e dytë në grup, ndërsa vendosi rekord në turne.

Sulmuesi Tosun realizoi supergol me gjuajtje të fuqishme nga zona në minutën e 94-t. Ishte goli i 10-të i shënuar në minutat shtesë në ndeshjet e fazës grupore në Gjermani, që ishte rekord për kampionate evropiane. Edhe 15 ndeshje të tjera do të luhen në fazën e nokautit.

Thuajse të gjitha ndeshjet kanë pasur fund dramatik, ndërsa është thyer rekordi i golave të minutave shtesë që ishte vendosur në vitin 2016, ku ishin shënuar nëntë në total.

Ndoshta goli më dramatik i minutave shtesë në Evropianin në Gjermani është shënuar nga Mattia Zaccagni, në paraqitjen e tij të parë ndërkombëtare. Ai plasoi bukur topin në rrjetë në minutën e 98-të, në ndeshjen e fundit të Grupit B. Me golin e tij, Italia barazoi me Kroacinë, 1:1 dhe siguroi avancimin tutje, kurse Kroacia nuk pati mundësi të kalonte tutje si një prej katër skuadrave më të mira të vendit të tretë.

Gjermania siguroi vendin e parë në Grupin A me gol të minutës së 92-të të shënuar nga Niclas Fuellkrug, në barazimin 1:1 me Zvicrën, duke ua mohuar helvetikëve pozitën e liderit. Portugalia përfundoi në vendin e parë të Grupit F, falë shënimit të Francisco Conceicaos në minutën e 92-të. Ishte goli i fitores së portugezëve kundër çekëve në ndeshjen hapëse.

Republika e Çekisë ka pranuar dy gola në minutat shtesë të gjithë ndeshjes, dhe një tjetër në shtesën e pjesës së parë. Kjo ka shfaqur dobësinë te çekët para vërshëllimës së gjyqtarit para mbylljes së pjesëlojëve.

Gol pas 100 minutave ka shënuar edhe Kevin Csoboth i Hungarisë në fitoren 1:0 ndaj Skocisë, edhe pse nuk ishte i mjaftueshëm për të avancuar në 1/8 e finales.

Në këto ballafaqime janë shënuar më së shumti gola në minutat shtesë, por edhe në të kaluarën ka pasur dramë.

Spanja ishte duke humbur 3:2 nga ish-Jugosllavia në vitin 2000, kur Gaizka Mendieta i barazoi shifrat në minutën e 94-t nga penalltia, ndërsa Alfonso Perez e shënoi golin e fitores 4:3, 60 sekonda më vonë, për të avancuar në çerekfinale të turneut.

Në vitin 2004, Anglia ishte duke udhëhequr 1:0 kundër Francës, por Zinedine Zidane realizoi dy herë në minutën e 91-të dhe të 93-të për t’ia siguruar fitoren Francës.

Të dyja ekipet avancuan për në fazën nokaut.