Trajneri i futbollit, Erdin Hashani, ka vlerësuar se mbrojtësi Elseid Hysaj është pika më e dobët e Kombëtares së Shqipërisë para nisjes së Kampionatit Evropian.
Shqipëria do të jetë në “Euro 2024”, që nis më 14 qershor në Gjermani. “Kuqezinjtë” janë në Grupin B bashkë me Italinë, Spanjën e Kroacinë. Ndeshjen e parë e luan më 15 qershor ndaj Italisë.
Shqipëria zhvilloi dy ndeshje miqësore, ndaj Lihtenshtajnit që fitoi 3:0 dhe sot ndaj Azerbajxhanit që fitoi 3:1, para Evropianit. Nga këto dy ndeshje, Hashani ka thënë se Hysaj ishte pika më e dobët e Shqipërisë. Ndërsa ka vlerësuar kapitenin Berat Gjimshiti dhe mesfushorin Ylber Ramadani, të cilët i ka konsideruar si dy pikat kryesore të ekipit të Sylvinhos.
Trajneri i futbollit në "Interaktiv" të KTV-së ka thënë se në këto dy ndeshje miqësore, Sylvinho ka provuar më shumë fazën defanzive.
“Faza defanzive ka nisur ta ndryshojë, është pozitive. Ka disiplinë. Në fazën defanzive ishte testi kryesor para fillimit të Evropianit. Në këto dy ndeshje, nuk është se kanë krijuar shumë kundërshtarët e Shqipërisë. Është një gjë pozitive sepse në këto gara si Evropiani, faza defanzive mund ta bëjë diferencën. Duke marrë parasysh kundërshtarët, besoj se trajneri Sylvinho do të bazohet më shumë në kundërsulm”, ka shtuar ai.
Hashani ka theksuar se pret që ndaj Italisë të jetë formacioni i njëjtë si kundër Azerbajxhanit, përveç se në portë të jetë Etrit Berisha e në qendër të mbrojtjes të luajë Ardian Ismajli.
Sipas tij, rezultati i ndeshjes së parë është shumë i rëndësishëm për vazhdimësinë e Evropianit.
“Nëse e shikojmë Italinë, startin nuk e ka pas të mirë historikisht. Mezi e ka kaluar grupin, por kur e ka kaluar, ka shkuar lart. Unë po besoj te ndeshja e parë që Shqipëria të ketë fat. Por dëshira dhe realiteti është ndryshe. Kisha me e quajt sukses, sidomos kundër Italisë, një barazim. Shpresojmë që Italia të mos jetë në ditët e mira. Mos ta ketë startin e mirë. Nëse ka rezultat pozitiv ndaj Italisë, ka me pas më lehtë kundër Kroacisë. Gjithçka varet nga ndeshja e parë. Kroacia luan me Spanjën. Nëse e ka ndeshjen e parë me rezultat pozitiv, besoj edhe ndaj Kroacisë do të marrë rezultat pozitiv”, ka deklaruar Hashani.