Trajnerët e futbollit, Erdin Hashani e Ilir Nallbani, e kanë cilësuar Gjeorgjinë shembull që duhet ta ndjekë Kosova dhe Shqipëria për kualifikim e paraqitje të mira në gara të mëdha.
Gjeorgjia debutoi në “Euro 2024”. Madje arriti ta kalojë fazën e grupeve.
Në “Interaktiv” të KTV-së, Hashani ka thënë se Gjeorgjia duhet të shihet si shembull për paraqitjen pa frikë ndaj Portugalisë, ndaj të cilës fitoi për ta kaluar fazën e grupeve.
“Kur shkruan histori normalisht që gëzimi është shumë i madh te lojtarët dhe te shteti. Është për herën e parë në Evropian dhe e kalon grupin. E kemi thënë që në futbollin modern s’ka më kombëtare a ekip inferior, nëse veç vendosesh mirë dhe ke dëshirë. E tregoi kundër Portugalisë. Pavarësisht se ishte 1:0 nuk e uli ritmin e lojës. Kjo të bën të tregojë se është ngritur gradualisht, por duhet të kthehemi që kur Maqedonia e eliminoi në atë kohë ne s’patëm fat në pandemi dhe nuk na u lejuan lojtarët kryesorë që të jenë pjesë e ndeshjes (Liga e Kombeve). Këtë e shfrytëzoi Maqedonia më së miri. Është shembull se si Gjeorgjia duhet të merret nga këto shtete, siç është edhe Kosova. Është shembull, por është edhe për Shqipërinë sepse kjo Shqipëri kishte frikë kundër Spanjës e Gjeorgjia jo ndaj Portugalisë”, ka thënë Hashani.
Ai ka vënë theksin te trajneri. Sipas tij, Sylvinho nuk pati guxim të sulmojë Kroacinë e as Spanjën.
Ndërkaq, Nallbani ka thënë se Gjeorgjia ka bërë hapa gjigantë e se Spanja në fazën e ardhshme përballë kësaj kombëtareje s’do ta ketë lehtë.
“Meritat kryesore i ka trajneri. Di t’i motivojë, t’u japë këshilla specifike lojtarëve që në fushën e lojës t’i zbatojnë. Edhe Portugalia pati ndryshime në formacion, por ata nuk u dorëzuan përkundër Shqipërisë që s’e pati guximin që e pati Gjeorgjia. Shqipëria pati avantazh me Kroacinë, e pati edhe raste të tjera për 2 ose 3 me 0. Ajo nuk e shfrytëzoi e Gjeorgjia po. Diferencë e vogël, por ishin më të pafrikësuar”, ka thënë ai duke shtuar se e cilëson vetëbesimin si armën kryesore në këto paraqitje.
Sipas tij, “Euro 2024” ka treguar se të gjitha kombëtaret janë mirë të përgatitura, ndërsa ka shprehur zhgënjimin me Italinë, Anglinë dhe Francën.
Për suksese te Kosova, të dy kanë thënë se trajnerëve duhet t’u jepet më shumë kohë.
Hashani ka thënë se klubet e Kosovës kanë treguar më shumë sukses se Shqipëria dhe se tash sukseset duhet të barten te përfaqësuesja.