Lavde për Shqipërinë ka bërë në prag të ndeshjes me Kroacinë, Elvir Islamoviq, gazetar kroat që ka raportuar nga Hamburgu.
Në uebfaqen zyrtare të UEFA-s, ai ka vlerësuar se kombëtarja kuq e zi do të jetë sfidë e vështirë për kroatët favoritë.
“Është e vërtetë që Kroacia ka mesfushë të mrekullueshme dhe ekip të mirë në përgjithësi, por performanca e parë nuk ishte bindëse. E kam parë Shqipërinë kundër Italisë dhe ky është ekip që është në gjendje të komplikojë gjërat për shumë kundërshtarë, përfshirë Kroacinë. Pavarësisht se shihet si favorite (Kroacia), mendoj se do të jetë shumë sfiduese. Gjithsesi librat e historisë favorizojnë Kroacinë. Në gjashtë ndeshjet e tyre të dyta në Evropianë, nuk kanë pësuar kurrë humbje”, ka shkruar ai.
Në ndeshjet e para të Grupit B në “Euro 2024”, Shqipëria u mposht 2:1 nga Italia e Kroacia pësoi 3:0 nga Spanja.