Klaus Gjasula ruajti qetësinë në minutën e 95-të. Goditi saktë për t’ia siguruar pikën e madhe Shqipërisë në ndeshjen ndaj Kroacisë. Ndeshja e së mërkurës pasdite në Hamburg përfundoi 2:2. Ishte prej më të mirave dhe më interesanteve deri më tani në Euro 2024.
Shqipëria kishte epërsi 1:0 e më pas Kroacia kaloi në avantazh prej 2:1. Por në fund pikët u ndanë dhe kështu si Shqipëria ashtu edhe Kroacia mbesin në garë për avancim tutje. Të dy përfaqësueset e kanë vetëm nga një pikë në Grupin B të Evropianit në Gjermani.
Gjatë gjithë ditës në Hamburg kishte festë futbolli. Dhe shfaqja në fushën e blertë shkoi në këtë drejtim.
Kuqezinjtë nisën ndeshjen me siguri maksimale dhe duke kontrolluar mesfushën. Në minutën e 11-të, Jasir Asani krosoi bukur në zonë, ndërsa Qazim Laçi gjuajti me kokë për 1:0.
Kjo nuk ishte e tëra nga Shqipëria në pjesën e parë. Dominimi i lojtarëve të Shqipërisë ishte i plotë. Rrezikoi më pas Nedim Bajrami, kurse rast të artë humbi Kristjan Asllani. Fare në fund, Rey Manaj goditi me kokë por portieri kroat shpëtoi portën e tij.
Pas pjesës së parë rezultati ishte 1:0 në të mirë të Shqipërisë.
Situata në fushë ndryshoi në pjesën e dytë. Kroatët rreshtuan sulmet, ndërsa Thomas Strakosha e pati të paktën një ndërhyrje vendimtare. Në anën tjetër të fushës Taulant Seferi nuk bëri pasim për Asllanin por provoi gjuajtjen, që ishte shumë e zbehtë.
Nuk vonoi shumë dhe kroatët barazuan. Andrej Kramariq shënoi për 1:1 në minutën e 74-t. Vetëm dy minuta më pas Klaus Gjasula shënoi autogol për epërsinë 2:1 të Kroacisë. Në fakt kapiteni Berat Gjimshiti bllokoi një gjuajtje. Topi goditi Gjasulën në këmbë e prej tij shkoi në portë.
Lojtarët e Shqipërisë ishin disi të humbur në atë periudhë loje dhe Kroacia rrezikoi sërish.
Sylvinho ndërhyri duke aktivizuar Arbër Hoxhën dhe Mirlind Dakun. Dhe kjo solli sërish ndryshimin e situatës në fushë.
Shqipëria sërish ishte e rrezikshme, ndërsa Arbër Hoxha pati një rast të mirë. Por goditja e tij u ndal. Në minutat shtesë u shënua goli i barazimit. Pas një devijimi, topi erdhi te Gjasula që goditi saktë për 2:2 në minutën e 95-të.
Festa në fund u takoi kuqezinjve dhe të paktën 20 mijë tifozëve shqiptarë në stadium. Tifozët shqiptarë në fakt kanë festuar gjithë ditën, së bashku me tifozët kroatë.
Më 24 qershor, Shqipëria luan ndaj Spanjës në Duesseldorf, ndërsa Kroacia takohet me Italinë në Leipzig.
Gjasulaaaaaaaaaaaaaa
Klaus
Ai shënoi në minutat shtesë.
Kroacia në epërsi
Kroacia e ka shënuar edhe golin e dytë. Autogol shënoi Gjasula në minutën e 76-të.
Barazon Kroacia
Kroacia ka barazuar rezultatin në 1:1 në ndeshjen ndaj Shqipërisë.
Andrej Kramariq shënoi në minutën e 74-t.
Një orë lojë, Strakosha me pritje vendimtare
Shqipëria është në epërsi 1:0 kur janë luajtur 60 minuta në ndeshjen ndaj Kroacisë.
Në fillim të pjesës së dytë kroatët kishin disa raste të rrezikshme. Thomas Strakosha kishte një pritje vendimtare.
Në pjesën e dytë po dominojnë kroatët.
Laçi nga Peshkopia
Qazim Laçi ka shënuar golin e vetëm në pjesën e parë të ndeshjes mes Shqipërisë e Kroacisë. Laçi shfrytëzoi maksimalisht rastin e ofruar nga Sylvinho. Ai shënoi pas krosimit të bukur të Jasir Asanit.
Laçi është i lindur në Peshkopi, por ka prejardhje nga Laçi. Është i rritur në Greqi, ndërsa u zhvillua tek Olympiacosi. 28-vjeçari ka luajtur edhe për APOEL-in qipriot, Levadiakosin grek, Ajaccion në Francë. Prej vitit të kaluar është te Sparta Praga në Çeki.
Laçi po shquhet edhe për punën e madhe në mesin e fushës, së bashku me Ylber Ramadanin e Kristjan Asllanin.
Shqipëria po shkon drejt fitores më të madhe në histori.
Shqipëri e jashtëzakonshme, 1:0 pas pjesës së parë
Shqipëria po shkëlqen në fushë në ndeshjen ndaj Kroacisë. Pas pjesës së parë rezultati është 1:0 në të mirë të kuqezinjve.
Qazim Laçi shënoi gol në minutën e 11-të, me asistim të Jasir Asanit.
Kuqezinjtë kanë luftuar shumë, ndërsa e kanë kontrolluar mesfushën thuajse plotësisht, duke shfaqur siguri të vazhdueshme. Raste të mira kishin edhe Nedim Bajrami e sidomos Kristjan Asllani.
Asani është shquar me pasime, ndërsa Rey Manaj i ka fituar të gjitha duelet në sulm.
Ndryshimet e Sylvinhos dolën shumë të suksesshme, të paktën sa i takon pjesës së parë.
S’ndalen kuqezinjtë, Asllani lëshon rast të artë
Shqipëria nuk po ndalet ndaj Kroacisë. Në minutën e 31-të rast të artë kishte Kristjan Asllani. Por portieri kroat bëri pritje të madhe.
Rezultati mbetet 1:0 në të mirë të Shqipërisë.
Shkëlqen Shqipëria
Kombëtarja e Shqipërisë është duke shkëlqyer ndaj Kroacisë.
Qazim Laçi shënoi për 1:0, ndërsa Nedim Bajrami kishte rast tjetër.
Edhe në tribuna dëgjohen vetëm shqiptarët.
Laçiiiiii
Shqipëria ka kaluar në epërsi 1:0 ndaj Kroacisë.
Qazim Laçi shënoi në minutën e 11-të.
VIDEO:
Tifozat Kuq e Zi protestojnë në Hamburg kundër organizimit të Evropianit Shqipëri-Serbi
“FSHF – mos bashkëpuno me një shtet gjenocidal”, është thirrja që grupi i tifozëve Tifozat Kuq e Zi kanë publikuar në stadiumin e Hamburgut në ndeshjen Kroaci-Shqipëri në “Euro 2024”.
Thirrja i dedikohet Federatës Shqiptare të Futbollit që ka aplikuar që të organizojë Kampionatin Evropianin për grupmoshën U21 në vitin 2027 në bashkëpunim me Serbinë.
Modriqi udhëheq Kroacinë, luajnë edhe Perishiqi e Kovaçiqi
Zlatko Daliq ka vendosur për ekip shumë me përvojë për ndeshjen e Kroacisë ndaj Shqipërisë.
Luka Modriq do të jetë dirgjient i lojës, ndërsa shumë pritet edhe nga Ivan Perishiq e Mateo Kovaçiq.
Në sulm është Bruno Petkoviq, i përkrahur nga Andrej Kramariq e Lovro Majer.
Joshko Gvardiol luan në qendër të mbrojtjes.
Në mesfushë përkrah Modriqit do të jetë Marcelo Brozoviq.
Ndryshime te Shqipëria, ja me kë sulmon Sylvinho ndaj Kroacisë
Ashtu si pritej, janë bërë disa ndryshime në formacionin e Shqipërisë për ndeshjen ndaj Kroacisë.
Por askush nuk ka pritur që Rey Manaj do ta fitojë rastin para Armando Brojës.
Qazim Laçi është vendosur në mesin e fushës, ndërsa Nedim Bajrami do të paraqitet në krahun e majtë të sulmit. Pjesa tjetër mbetet e pandryshuar. Pra starton Elseid Hysaj në krahun e djathtë të mbrojtjes dhe Arlind Ajeti në qendër të mbrojtjes.
(4-3-3) – Strakosha: Mitaj, Gjimshiti, Ajeti, Hysaj: Ramadani, Asllani, Laçi: Bajrami, Manaj, Asani.
Modelja e famshme kroate parashikon ndeshjen ndaj Shqipërisë
Modelja kroate e cila u bë e famshme gjatë Botërorit të Katarit, Ivana Knoll, nuk pret asgjë më pak se fitore kundër Shqipërisë sot.
Kroacia dhe Shqipëria përballen sot nga ora 15:00 në xhiron e dytë të grupeve të “Euro 2024”. Të dyja ekipet kanë pësuar humbje në xhiron e parë nga Spanja, respektivisht Italia.
Në një prononcim për “24sata.hr”, Knoll ka thënë se do të jetë në Gjermani derisa të mbetet Kroacia. Shpreson që sot Kroacia të fitojë 2:0.
“Nuk pres asgjë më pak se fitore. Kam ardhur të hënën e kaluar. Do të jem derisa të jenë kroatët. Shpresoj deri 2:0. Shënues të jetë Petkoviq, ta nxjerr atë penallti të humbur”, ka thënë ajo.
Gazetari kroat: Vështirë përballë Shqipërisë
Lavde për Shqipërinë ka bërë në prag të ndeshjes me Kroacinë, Elvir Islamoviq, gazetar kroat që ka raportuar nga Hamburgu.
Në uebfaqen zyrtare të UEFA-s, ai ka vlerësuar se kombëtarja kuq e zi do të jetë sfidë e vështirë për kroatët favoritë.
“Është e vërtetë që Kroacia ka mesfushë të mrekullueshme dhe ekip të mirë në përgjithësi, por performanca e parë nuk ishte bindëse. E kam parë Shqipërinë kundër Italisë dhe ky është ekip që është në gjendje të komplikojë gjërat për shumë kundërshtarë, përfshirë Kroacinë. Pavarësisht se shihet si favorite (Kroacia), mendoj se do të jetë shumë sfiduese. Gjithsesi librat e historisë favorizojnë Kroacinë. Në gjashtë ndeshjet e tyre të dyta në Evropianë, nuk kanë pësuar kurrë humbje”, ka shkruar ai.
Në ndeshjet e para të Grupit B në “Euro 2024”, Shqipëria u mposht 2:1 nga Italia e Kroacia pësoi 3:0 nga Spanja.
Tifozët nisin të hynë në stadium
Tifozët e Shqipërisë dhe Kroacisë kanë nisur të hynë në “Volksparkstadion” të Hamburgut, kur kanë mbetur më pak se dy orë nga nisja e ndeshjes.
Rrugëve të Hamburgut është vërejtur festë vëllazërore mes dy tifozërive.