Në përfaqësuesen e Sllovakisë janë shprehur shumë të lumtur për fitoren 2:1 ndaj Polonisë. Të hënën mbrëma në kuadër të Grupit E të Euro 2020, Sllovakia fitoi 2:1 ndaj Polonisë. Golin e fitores e shënoi Milan Shkriniar në minutën e 69-të. Ai u shpall lojtar i ndeshjes.
“Jemi të lumtur që kemi filluar garën me fitore. Ishte ndeshje e vështirë, Polonia është ekip kualitativ”, ka thënë Shkriniar për sajtin zyrtar të UEFA-s.
“Është gjë e madhe të fillosh në këtë mënyrë. Ne fituam, që është mahnitëse. Për fat të keq pranuam gol herët në pjesën e dytë, por natyrisht kartoni i kuq i polakëve na ndihmoi pak. E kemi ditur që ndërprerjet mund të jenë vendimtare”, ka thënë Robert Mak, sulmues i Sllovakisë. “Është e pabesueshme, është e vështirë të përshkruhet. Pak njerëz kanë pritur se do të shënojmë fitore sot, por ne luftuam për të. Kam mundur të paraqitem më mirë, nuk kam luajtur për një muaj dhe kjo është vërejtur. Por ne kërkuam fitoren dhe e arritëm atë”, ka theksuar kapiteni i sllovakëve, Marek Hamshik.
Sipas selektorit të Sllovakisë, Shtefan Tarkoviq, është pritur një ndeshje si ajo që u luajt. Ai ka thënë se Robert Lewandowski është mbajtur “jashtë lojës”.
“Pjesa e parë ishte e shkëlqyeshme. Ishim pak të fjetur në pjesën e dytë, por ia dolëm të shënojmë dhe të mbijetojmë në minutat e fundit”, ka thënë Tarkoviq.