Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Euro 2020

Pritja prej një dekade e Hendersonit për gol tek Anglia

Pas dhjetë vjetësh dhe më shumë se 60 ndeshjeve, Jordan Henderson më në fund e ka provuar ndjenjën e shënimit të golit për Përfaqësuesen e Anglisë në futboll.

Mesfushori 31-vjeçar shënoi golin e fundit të Anglisë në fitoren 4:0 ndaj Ukrainës, të shtunën mbrëma në çerekfinale të Euro 2020.

Hendersoni shënoi me goditje me kokë pas krosimit të Mason Mount nga këndi, në pjesën e dytë të ndeshjes në “Olimpico” të Romës. Ai ka përcjellë me shikim topin derisa po futej në portë, sikur dëshironte të bindej se kjo vërtet po ndodhte.

“Ishte vërtet moment i veçantë. Kam pritur për kohë të gjatë”, ka thënë Henderson, që luan për Liverpoolin në Premier League.

“Të shënosh në çerekfinale të Kampionatit Evropian nuk është skenë e keqe për golin e parë”.

Henderson ka debutuar për Anglinë më 17 nëntor të vitit 2010 dhe ka luajtur 60 ndeshje të tjera për ekipin, pa ia dalë të shënohet në listën e realizatorëve. Kur ai hyri në lojë në minutën e 57-të në vend të Declan Rice, po regjistronte ndeshjen e 62-të për Anglinë. Gjashtë minuta më vonë ai ishte i vëmendshëm pas harkimit të Mountit dhe shënoi për 4:0.

Natyrisht, festoi me pasion këtë moment të veçantë në karrierë.

“Jam shumë i lumtur për Jordanin”, ka thënë sulmuesi Harry Kane, që realizoi dy gola për Anglinë të shtunën. “E di që ka qenë i vendosur ta shënojë atë gol. Nuk ka vend më të mirë për të bërë këtë”.

Kane, kapiteni i Anglisë, e ka quajtur Hendersonin “lider të madh, një lojtar shembull dhe të rëndësishëm për ta pasur në skuadër”.

Henderson ka thënë: “Për mua ishte natë e veçantë në aspektin personal.” Anglia asnjëherë më parë nuk kishte fituar ndeshje në një kampionat evropian me dallim prej katër golave.

Anglia do të takohet me Danimarkën në gjysmëfinale të Euro 2020. Ndeshja do të luhet në “Wembley” në Londër, ku anglezët i luajtën katër ndeshjet e para. Kjo gjysmëfinale është të mërkurën.

“Mund të festojmë pak rrugës për në shtëpi, por jo shumë”, ka thënë Henderson. “Duhet t’i mbajmë këmbët në tokë dhe të fokusohemi për ndeshjen e ardhshme”.

Artikuj të ngjashëm