Mbrojtësi i Uellsit, Chris Gunter ka pasur kritika të ashpra për formatin e Kampionatit Evropian të futbollit, që është duke u mbajtur në gjithë Evropën. Uellsi të shtunën pësoi 4:0 nga Danimarka në “Johan Cruijff Arena” në Amsterdam dhe u eliminua në një të tetën e finales në Euro 2020.
Por Uellsi, si shumë përfaqësuese të tjera, është përballur me udhëtime të gjata, që janë kritikuar edhe nga të tjerë lojtarë e trajnerë.
Pasi luajti dy ndeshjet e para në Azerbajxhan, Uellsi është takuar me Italinë në Romë. Më pas është bartur në Amsterdam për ndeshjen me Danimarkën.
Tre prej katër kundërshtarëve të Uellsit kanë pasur përkrahje të madhe nga numër i madh shikuesish. Fare pak tifozë të Uellsit ishin lejuar të përcjellin nga afër ndeshjet.
“Secila përfaqësuese ka pasur tifozët kudo që ka shkuar”, ka shkruar Gunter në rrjete sociale.
“Por jo edhe Uellsi. Pos 350 tifozëve që thyen rregullat e qeverisë dhe zbrazën llogaritë bankare për të qenë atje. Ju dhe ne kemi merituar më shumë nga kjo shaka prej turneu. Por, kush thotë se jeta është e drejtë?”.
Evropiani i këtij viti është organizuar në shumë vende për të festuar 60-vjetorin e ngjarjes.
Federata e Futbollit të Uellsit ishte e pasuksesshme në tentim për të organizuar katër ndeshje të Euro 2020 në Kardif.
Vetëm ndeshja hapëse e Uellsit ndaj Zvicrës, është luajtur para tifozëve thuajse neutralë. Turqia ishte përkrahur nga rreth 30 mijë tifozë turq dhe azerbajxhanas në Baku. Rreth 15 mijë shikues, shumica tifozë të Italisë, kishin përcjellë nga stadiumi humbjen 1:0 të Uellsit nga azurët.
Dhe, derisa tifozët danezë janë lejuar të udhëtojnë për në Holandë të shtunën për ndeshjen e një të tetës së finales, tifozët e Uellsit nuk ishin lejuar të bëjnë të njëjtën.
Duke shkruar në “Instagram”, Gunter, ka thënë se dhemb shumë që të kthehet në shtëpi pas humbjes 4:0 nga Danimarka. Ai i ka 102 ndeshje për Uellsin.
Lojtari i Charlton Athletic ka shtuar: “Vendi është në duar të sigurta me këtë skuadër. Më besoni, unë do të shkoja në betejë me çdo anëtar të këtij ekipi dhe me anëtarët e stafit”.
Sipas tij, tifozët e Uellsit duhet ta mbajnë kokën lart. Ai është i bindur se e ardhmja e Uellsit në futboll është e ndritur.