Robert Lewandowski përballet me një tjetër largim të hershëm nga ngjarjet e mëdha të futbollit. Kjo mund të evitohet nëse Polonia gjen rrugë për ta thyer një prej mbrojtjeve më të forta në “Euro 2020”.
Fitorja ndaj Suedisë është mundësia e vetme e Polonisë për të avancuar në fazën nokaut në Evropian. Dhe këtë nuk e ka arritur asnjë ekip në shtatë ndeshjet e vitit 2021.
Por me Lewandowskin ka shpresë për Poloninë.
Pas paraqitjes së zbehtë në humbjen 2:1 të Polonisë nga Sllovakia, sulmuesi i suksesshëm reagoi në ndeshjen e dytë. Ai shënoi golin e barazimit 1:1 me Spanjën, duke mbajtur në lojë Poloninë për kualifikim.
Ishte një përfundim klasik i aksionit për Lewandowskin. Ai shfrytëzoi forcën për t’u liruar nga mbrojtësi Aymeric Laporte dhe u shkëput lart për të goditur saktë me kokë.
Por sulmuesin e Bayernit e pret punë e vështirë ndaj Suedisë, të mërkurën nga ora 18:00 në St. Petersburg. Suedia është përfaqësuese pragmatike, ambiciet sulmuese të së cilës mund të jenë më të limituara se zakonisht. Suedia i ka katër pikë nga dy ndeshjet e para në grup dhe e ka siguruar kualifikimin pas rezultateve të ditës së hënë.
Fitorja do t’ia siguronte vendin e parë në grup. Por ndoshta edhe barazimi.
Suedia, si pak përfaqësuese të tjera, nuk ka pranuar ende gol në “Euro 2020”. Suedia po ashtu mbrohet në mënyrë kompakte. Prania e saj në mbrojtje bëhet edhe më e madhe kur nuk ka nevojë për gol. Kjo dëshmon se pse Poloninë e pret punë shumë e vështirë.
Lewandowski ka avancuar nga faza grupore vetëm një herë në tri paraqitje në ngjarje të mëdha. Ndodhi kjo në “Euro 2016”, kur turneu kontinental u zhvillua për herë të parë me 24 skuadra.
Ai ka bilanc të jashtëzakonshëm, me 67 gola në 121 ndeshje për Poloninë. Por sulmuesi ka vuajtur për të gjetur formën më të mirë në ngjarje të mëdha. Ai ka vetëm tre gola në 13 paraqitje në ngjarje të mëdha.
Polonia, që është e fundit në grup me një pikë, mund të jetë pa mbrojtësin Jan Bednarek dhe mesfushorin Jakub Moder, që janë të lënduar.
Trajneri i Suedisë, Janne Andersson, mund të vendosë për ta ndryshuar formacionin, pasi kualifikimi është i garantuar. Ai mund të vendosë t’u ofrojë hapësirë lojtarëve të rinj. Dejan Kulusevski mund të kthehet te Suedia, pasi qëndroi në stol ndaj Sllovakisë. Lojtari i krahut posa është kthyer në stërvitje të plota pas një periudhe izolimi për shkak të koronavirusit.
“Euro 2020”, Grupi E: Suedia – Polonia, e mërkurë (18:00)